Mitrovicë, 80 fermerë përfitojnë serra

Prishtinë | 20 Pri 2018 | 11:48 | Nga

Komuna e Mitrovicës po vazhdon me realizimin e projekteve të ndryshme në bujqësi. Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri dhe drejtori i drejtorisë për Bujqësi, Ekrem Sadiku, kanë nënshkruar të premten kontratat me 80 fermerë përfitues të serrave.

Kryetari Bahtiri me këtë rast tha se është i lumtur që Komuna është në gjendje që të ndihmoj sektorin e bujqësisë, përkatësisht fermerët e komunës përmes projekteve të ndryshme.

“Kam thënë se ndër projektet kryesore të Komunës gjatë mandatit tim, do të jetë edhe investimi në bujqësi dhe mbështetja e fuqishme për fermerë. Fakti se sot po i nënshkruajmë kontratat me 89 fermerë të Komunës, tregon për përkushtimin tim që të mbështesë sektorin e bujqësisë dhe në veçanti fermerët. Ne nuk do të ndalemi vetëm me kaq, por do të vazhdojmë edhe me realizimin e projekteve tjera, duke siguruar subvencione nga buxheti i komunës, apo edhe nga donatorë të ndryshëm”, tha ai.

Kryetari Bahtiri i njoftoj fermerët e pranishëm në sallë ku po nënshkruheshin kontratat, se Komuna do të mbështesë të gjithë fermerët që paraqesin projekte interesante, duke ju siguruar kredi bankare në vlerë deri në 10.000 euro, me afat kthimi prej tri vitesh.

“Obligimet bankare për kredinë që fermeri do të merr, përkatësisht kamatën, do të paguaj komuna. Besoj se kjo është një mundësi e mirë për ata fermerë që dëshirojnë të zgjerojnë veprimtarinë e tyre. Sigurisht se ne do të hulumtojmë edhe mënyra tjera të mbështetjes së fermerëve në realizimin e projekteve të tyre”, tha Bahtiri.

Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Ekrem Sadiku, i njoftoj fermerët përfitues të serrave, se konkurrenca ka qenë mjaftë e madhe, pasi që për 80 serra janë paraqitur mbi 180 kandidatë, nga të cilët komisioni prej tre anëtarësh i ka përzgjedhur ata që i akne plotësuar kushtet më së miri.

Ai tha se nga 80 serra, dhjetë janë të mëdha, me mbi 200 metra katrorë, kurse të tjerat janë serra familjare, për të cilat komuna ka siguruar subvencione në vlerë prej 40.000 euro.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme