Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka ftuar ish-partinë e tij Vetëvendosje, që të mos sulmojë më anëtarët e Partisë Socialdemokrate.
Ai ka komentuar një rast të fundit të një sulmi fizik nga një aktivist i Vetëvendosjes drejt një aktivisti të PSD-së duke thënë se kjo është për keqardhje dhe se VV duhet të reflektojë.
“Vetëvendosje po sillet si PDK-ja e pasluftës, por ne (PSD-ja), nuk jemi LDK-ja e pasluftës. Le ta na lënë rehat, se nuk i kanë treguar muskujt ku është duhur”, ka thënë në Interaktiv të KTV-së, deputeti Dardan Molliqaj, duke komentuar incidentin.
“Është e papranueshme. Kemi kaluar shumë vite bashkë. Është sulmuar një aktivist i shkëlqyeshëm. Bardh Ahmeti është djalë i heshtur, shumë pak kam dëgjuar zhurmë nga ai. Është sulmuar nga zyrtar i Vetëvendosjes, asamblist në komunën e Prishtinës. Më vjen keq që ka ndodh. Mendoj se do të reflektojnë”.
Molliqaj ka thënë se i njeh mirë njerëzit e Vetëvendosjes dhe se ata “nuk guxojnë t’i tregojnë muskujt aty ku duhet”.
Molliqaj: VV po lufton për pushtet, Kurti s’merr vesh në sondazhe
Dardan Molliqaj, deputet i PSD-së, ka kritikuar ish-partinë e tij Vetëvendosje duke thënë se ajo po lufton vazhdimisht për pushtet.
“Për mua është e çuditshme që ky subjekt po kërkon nga ne vazhdimisht një gjë – pushtetin. Të gjitha kërkesat ndaj nesh ishin për pushtet. Po vërehet kush po kërkon pushtet e kush jo. Megjithatë, janë legjitime”, ka thënë Molliqaj në Interaktiv duke shtuar se PSD është në bisedime me VV-në për të vazhduar bashkëpunimin në Komunën e Prishtinës. Ai ka thënë se nuk sheh interes nga të dy partitë për të vazhduar bashkëpunimin.
Sa i përket kryetarit të VV-së, Albin Kurti, Molliqaj ka thënë se ai nuk merret vesh me sondazhe. Këtë e ka lidhur me deklaratën e fundit të Kurtit, që tha se grupi i larguar nga Vetëvendosje nuk do të marrë më shumë se 2 për qind të votave.
“Do të bëhen së shpejti sondazhe dhe do ta matim opinion publik. Ka njerëz të mirë që dinë ta testojnë opinionin. Ata që thonë se jemi aq keq janë njerëz që nuk merren vesh fare me sondazhe. Të gjithë ata që i kam dëgjuar. Nuk matet një parti që nuk ekziston”, ka shtuar Molliqaj.
PSD nuk sheh arsye pse Dërguti të japë dorëheqje nga pozita e nënkryetares së Kuvendit
Partia Socialdemokrate thotë se nuk sheh arsye pse deputetja e kësaj partie, Aida Dërguti, të japë dorëheqje nga pozita e nënkryetares së Kuvendit, pozitë që e fitoi në kohën sa ishte deputete e Vetëvendosjes.
Dardan Molliqaj nga PSD-ja ka thënë se ajo ka mandat kushtetues dhe se ajo pozitë është fituar me rregull dhe demokraci.
“Ka dy mënyra për largimin e nënkryetares. E para dorëheqja e dyta shkarkimi. Në të dy variantet e pranojmë. Mandati i saj është kushtetues. Mund të zgjidhesh me 61 vota, por për t’u shkarkuar duhet me 2/3 e votave. Po bëhet shumë zhurmë. PSD-ja nuk sheh arsye pse Dërguti të japë dorëheqje. Po flasim për rregulla dhe demokraci. Pse duhet në një subjekt të respektohen të gjitha procedurat e në Kuvend jo”, është shprehur Molliqaj në Interaktiv.
Molliqaj tregon dallimet e PSD-së me VV-në
Sipas Dardan Molliqajt, tash deputet i Partisë Socialdemokrate, dikur pjesë e Vetëvendosjes, ka disa dallime mes këtyre dy partive.
Ai ka thënë se janë tri dallime të mëdha në mes të Vetëvendosjes dhe grupit të larguar nga kjo parti, e që së fundmi doli në PSD.
Sipas tij, dallimi i parë ishte socialdemokracia, i dyti ishte qasja dhe metoda në politikë si dhe parimi si shihet zhvillimi i Kosovës.
Molliqaj ka thënë se në Partinë Socialdemokrate ka më shumë mendime sa i përket çështjes së bashkimit me Shqipërinë dhe kjo parti ka kërkuar ndryshimin e nenit të Kushtetutës për të drejtën e referendumit dhe për të drejtën e vetëvendosjes së qytetarëve. Ai ka deklaruar se PSD nuk dëshiron përplasje mes kombeve, por dëshiron që “shteti të jetë i qytetarëve e të mos ketë organizime në baza etnike ose historike”.
“Në partinë që jemi ka njerëz që mendojnë se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është i drejtë, i nevojshëm e që sjell zhvillim si dhe ka njerëz që thonë se bashkimi nuk është i nevojshëm, nuk është i domosdoshëm. Unë jam në të parin, sepse besoj që kjo çështje është e rëndësishme për shkak të disa dimensioneve. E përbashkëta jonë është shteti qytetar, socialdemokracia, e drejta e shtetit për referundim dhe vetëvendosje”, ka thënë Molliqaj në Interaktiv.
Molliqaj: Emri i PSD-së na tërhoqi në këtë parti
Dardan Molliqaj, deputet i Partisë Socialdemokrate, në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se emri i kësaj partie ka tërhequr në të ish-anëtarët e Vetëvendosjes.
Sipas Molliqajt, programi socialdemokrat i deputetëve që u larguan nga Vetëvendosje, duhej të lidhej me një parti me emër të tillë dhe kjo parti tashmë ekzistonte në skenën politike.
“Të gjithë ne që jemi pjesë e PSD-së i kemi diskutuar gjatë parimet mbi të cilat mund të vazhdojmë në politikë. Në bazë të asaj që kemi bë publike kemi bërë të qartë që është drejtimi i majtë. Ka qenë opsioni që të jemi pjesë e PSD-së, që kishte emër pikërisht të asaj që ishim ne. Ishte krejt për shkak të emrit sepse u përcaktuam për orientim socialdemokrat. Vlerësuam se ishte më e drejtë të ishim pjesë e një partie që ekziston. Ka pas mjaft kreativitet dhe mundësi që të krijohet parti. Duhen 500 nënshkrime që e mbështesin nismën dhe më pas çështje procedurale të cilat ne nuk i kishim mungesë. Nuk kishte të bënte as me lodhjen e njerëzve sepse njerëzit përfshihen dhe angazhohen në politikë, por ishte përcaktimi jonë që të ishim socialdemokratë në parime e vlera e donim që programin tonë ta bënim direkt me emrin, e që ishte Partia Socialdemokrate. Po të mos ekzistonte kjo parti, e them me bindje, do të bënim ne Partinë Socialdemokrate”, ka thënë ai.