MSh-ja jep detaje lidhur me vdekjen e Naser Makollit

Prishtinë | 04 Pri 2017 | 12:00 | Nga

Lidhur me rastin e vdekjes së të burgosurit N. M, i burgosur në Burgun e Lipjanit, Departamenti i Shëndetësisë në Burgje (DShB) i Ministrisë së Shëndetësisë informon për vdekjen e tij

Në njoftim theksohet se të hënën, më 3 prill 2017, rreth 13:00 në  Emergjencën e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Lipjan është konstatuar vdekja e të burgosurit N. M. i lindur me datën 16.11.1971 në Prishtinë.

I burgosuri ka qenë duke u mbajtur në Qendrën e Paraburgimit  në Lipjan që nga data 09.12.2016. Gjatë kësaj kohe ka qenë nën trajtim të vazhdueshëm mjekësor bazuar në indikacionet mjekësore.

Më 27.03.2017 është dërguar në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), në Klinikën e Gastroenetrologjisë, ku është diagnostikuar me Enterokolit (pezmatim i zorrëve).

“Specialisti i gastroenterologjisë në këtë klinikë është përcaktuar për mjekim ambulantor, ka bërë kontrollim mjekësor ambulator, i ka përshkruar terapinë, të cilën pacienti ka qenë duke e marrë,  dhe ka kërkuar që t’i bëhen analizat e fecesit (koprokultura) tre ditë radhazi, të cilat kanë filluar të dërgohen në Laboratorin e Mikrobiologjisë në  Institutin  Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKShP)”, thuhet në njoftim.

“Mostrat janë dërguar me datën 28 mars dhe kanë vazhduar më 29 dhe 30 mars. Zakonisht, rezultatet në analiza të tilla nuk mund të prodhohen para së paku një jave. Me këto rezultate të analizave, gastroenterologu ka kërkuar që pacienti më pastaj të kontrollohet te infektologu”.

“Dje në mëngjes, i burgosuri  prapë është kontrolluar nga mjeku i burgut dhe, sipas tij, nuk ka pasur ndonjë çrregullim tjetër serioz dhe se të gjitha shenjat vitale kanë qenë në normë”.

“Në mesditën e të hënës, rreth orës 12:45, gjendja e të burgosurit  është përkeqësuar. Menjëherë, mjeku dhe stafi i tij mjekësor kanë ofruar ndihmën mjekësore në dhomën e të burgosurit dhe pastaj, me oksigjeno- terapi dhe terapi infuzive është dërguar nga njësia e transportit dhe në përcjellje të Kryeinfermierit për në Emergjencën e QKMF-së në Lipjan”.

Gjatë këtij intervenimi në dhomën e të burgosurit, është vërejtur se ai kishte ndryshim të parametrave vital: ulje të shtypjes së gjakut; dhe në bazë të këtij indikacioni i është dhënë ndihma e parë dhe është përcjellë si rast emergjent mjekësor për në QKMF.

Ndihma e parë dhe reanimimi i është ofruar edhe gjatë transportit si dhe në QKMF-në në Lipjan ku është konstatuar vdekja e pacientit.

Bazuar në Ligjin për Shëndetësi, rasti është dërguar për në autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku do të konstatohet shkaku i vdekjes pas ekspertizës mjeko-ligjore.

Sipas Rregulloreve në fuqi, DShB i MSh-së ka themeluar një Komision të brendshëm për verifikimin  e të gjitha procedurave mjekësore të aplikuara lidhur me rastin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme