Demokraci për Zhvillim (D4D) ka mbajtur sallonin e së martës me temën “Si mund të ndihmojë AI në zhvillimin e aftësive për të rritur konkurrueshmërinë dixhitale dhe ulur pabarazitë shoqërore?”, raporton Ekonomia Online.
Valon Canhasi, themelues dhe drejtor i “Hallakate”, ka potencuar se në Kosovë, ku papunësia e të rinjve është bërë shqetësim i madh, teknologjia mund të ofrojë mundësi të reja.
“Në të kaluarën kemi parë disa ndryshime në shoqërinë tonë, sidomos në tregun e punë tek pjesa e punës. Duhet me kuptu që duhet me investu më shumë për të qenë i konkurrueshëm. Bizneset kanë filluar me u digjitalizuar dhe ka nevojë për kësi lloj fuqie punëtore. Nuk ka vend pune që nuk preket nga AI, çdo pore e shoqërisë do të preket nga AI. Vet kam larguar gjysmën e punëtorëve sepse kam inkorporuar punën me AI. Jam duke ndërtuar kurrikula në profesione të caktuara, asnjëherë nuk ka pasur më lehtë te marrësh mësim online”, ka thënë Canhasi.
Sipas tij, Kosova është në gjendje ta zë hapin dhe të konkurrojë me botën në inteligjencën artificiale.
“Nuk jemi te gatshëm, si shoqëri i frikësohemi ndryshimit, por jemi të konkurrueshëm me të gjithë botën dhe kemi një dritare hapur për të konkurruar me botën. Mund të bëhemi të parët të zëmë hapin, kemi kompani që kanë bërë zgjedhje me AI për kompanitë më të mëdha në botë prej Prishtinës. Nuk e marrin parasysh këtë potencial, fati në fatkeqësinë tonë është që kemi investuar në infrastrukturën digjitale dhe mundet me e shfrytëzua “, ka theksuar ai.
Darsej Rizaj, drejtor ekzekutiv i Shkollës Digjitale, ka thënë se ende nuk dihen efektet negative të inteligjencës artificiale për ndërmarrjet private në Kosovë. Mirëpo, ai ka theksuar se me të ofrohen shumë mundësi të reja.
Ai ka shtuar se edukimi i mirëfilltë ka shumë rëndësi, ndërsa ChatGPT ka filluar t’u prezantohet fëmijëve nëpër shkolla.
“Katër muajt e fundit kam punuar me agjenda, me aq pak dijeni kom arritë me programu si me qenë aktiv me vite të tëra. Paramendoni që dikush është aktiv dhe punon gjatë gjithë kohës, inteligjenca artificiale nuk është vetëm për një profesion po për të gjithë. Në anën tjetër e shohim se është vetëm fillimi dhe pritet që të ketë përmasa edhe më të mëdha. Kemi filluar t’ua prezantojmë fëmijëve nëpër shkolla ChatGPT-në, gjatë gjithë kohës ka qenë pjesë e trajnimeve. Kemi krijuar një lojë ku fëmijët nuk i bëjnë detyrat e shtëpisë por përmes një loje i përfundojnë detyrat e shtëpisë”
“Gjashtë muajt e fundit kanë qenë intensive në AI, e kam dëgjuar që të gjithë kanë diskutuar se ku po mbetet faktori njeri. Duhet të kemi shumë kujdes se çka i mësojmë fëmijët, mënyra e të menduarit nuk mësohet në shkollë, mësohet përmendësh. Duhet të rikonsiderohet se çka me i mësua fëmijët dhe mendimin kritik do ta zhvillojmë më lartë. Është në rregull me përdorë AI kur ke nevojë për informatë”, ka thënë Rizaj.
Rizaj ka deklaruar se AI mund ta zëvendësojë edhe mjekun, sipas tij gjasat që të jetë gabim AI është shumë më e vogël.
“Nuk e dimë ekonomikisht si do të ndikojë në ndërmarrjet private, nëse një kompani e ka përfunduar punën me 100 veta tani mundet me 10. Një mjek i mirë shquhet sa ka pasur përvojë, AI është në gjendje me pas data bazën e të gjithëve të gjithë të diagnostifikuarve dhe probabiliteti për të gabuar është shumë i vogël. Jemi në evolucion dhe duhet të përjetohet si i tillë”, ka thënë ai.