Mungon e dëmtuara, shtyhet seanca ndaj Milaim Zekës në Gjykatën e Apelit

Prishtinë | 28 Mar 2023 | 12:51 | Nga Ekonomia Online

Në mungesë të të dëmtuarës B.D., dhe mbrojtësit të saj, avokatit Tomë Gashi, është shtyrë seanca në Gjykatën e Apelit, e paraparë që të mbahet të martën, ku pritej të shqyrtohej ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ndaj aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Milaim Zeka ishte liruar për veprën penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”.

Kolegji i Apelit për këtë rast, ishte i përbërë nga gjykatësi Abdullah Ahmeti (kryetar), Skender Çoçaj (gjykatës referues) dhe Ferit Osmani (anëtar).

Gjykatësi referues Çoçaj lidhur me mungesën e të dëmtuarës B.D, tha se e njëjta e kishte pranuar ftesën, ndërsa nuk e kishte arsyetuar mungesën. Kurse, për avokatin Gashi nuk ishte kthyer fletëkthesa.

Për shkak të mungesës së kushteve ligjore, seanca u shty kurse e radhës pritet të mbahet më 4 prill 2023.

Më 23 nëntor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Zekës, pasi nuk është vërtetuar se i njëjti ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohej.

Kurse, kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kishte ushtruar ankesë Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Ndryshe, aktakuza e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, rezulton të jetë ushtruar në gjykatë më 18 mars 2021.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Milaim Zeka akuzohej se më 18 maj 2017, në rrugën “B”, në restorantin “Fshati” në Prishtinë, pa autorizim ka incizuar tani të dëmtuarën B.D dhe se këtë incizim ua ka shpërndarë personave të tretë.

Me këto veprime, Prokuroria Themelore në Prishtinë e akuzonte Milaim Zekën se ka kryer veprën penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”, nga neni 205, par. 2, lidhur me par 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Të ngjashme