Në ditët e fundit të saj, Qeveria i është nënshtruar “riformatimit”. Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, ka zëvendësuar të hënën katër nga nëntë anëtarët e kabinetit qeveritar, të cilët javën e shkuar kanë nisur së ushtruari funksionin e deputetit.
I ka zëvendësuar vetëm katër ministra të partisë së tij, LDK-së, dhe asnjë të PDK-së, me të cilën ka bashkëqeverisur e tash ndodhet në rivalitet, shkruan sot “Koha Ditore”.
Mbështetur në një komunikatë shtypi, Mustafa ka emëruar ministër të Financave, zëvendësministrin e deritashëm, Agim Krasniqi, ministre të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shefen e deritashme të stafit në Kryeministri, Vlora Dumoshi, ministër të Infrastrukturës, zëvendësministrin e deritashëm, Hanefi Muharremi, si dhe ministër të Punës dhe Mirëqenies Sociale, zëvendësministrin e deritashëm, Safet Kamberi.
Sipas komunikatës, në vijim, Mustafa do të marrë vendim për emërimin edhe të ministrave të tjerë në vend të ministrave të deritashëm, të cilët janë zgjedhur deputetë në Kuvendin e Kosovës. Ministrat e rinj do të ushtrojnë këto detyra deri në themelimin e Qeverisë së re të Kosovës