Kryeministri Isa Mustafa ka vizituar sot Komunën e Mitrovicës, me ç’rast shprehu përkrahjen e Qeverisë në përmbushjen e detyrave të kësaj komune si dhe ngritjen e kapaciteteve, në mënyrë që të jenë më efikase në obligimet ndaj qytetarëve. Në këtë kontekst, kryeministri theksoi rëndësinë e përkrahjes së Mitrovicës, si një komunë më specifike.
Përveç ndërtimit të Zonës Ekonomike, që do të ndihmojë punësimin dhe prosperitetin ekonomik të kësaj Komune, kryeministri Mustafa u interesua edhe për ndërtimin e urës së re mbi lumin Ibër, që do të mundësojë një komunikim shumë më normal të qytetarëve në këto dy pjesë të Mitrovicës.
“Unë mendoj që në përgjithësi në Mitrovicë po bëhet një punë mjaft e mirë, dhe mendoj se kjo punë po ndikon tani që të relaksohen marrëdhëniet, që qytetarët ta ndjejnë veten më mirë. Por, është bërë edhe një hap shumë i mirë në komunikimin me pjesën veriore, që nuk ka qenë më parë, që mundëson që problemet e qytetarëve tanë atje dhe këtu të jenë probleme të cilat diskutohen lirshëm dhe në një platformë krejtësisht tjetër në krahasim me atë që e kemi pas më parë”, tha kryeministri Mustafa, duke ofruar përkrahjen e Qeverisë edhe në projektet e vitit të ardhshëm të Komunës së Mitrovicës.
Nga ana e tij, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, kërkoi që bashkëpunimi të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Shpresojmë se ne do të kemi një bashkëpunim më të fuqishëm, edhe pse kemi pasur në të kaluarën, por çdoherë duhet të mendohet tek e ardhmja, dhe unë shpresoj që së bashku do t’ia dalim që Mitrovicën, por edhe shumë çështje tjera, t’i bëjmë të përbashkëta”, tha kryetari Bahtiri.