Ahmeti: Janë ndërmarrë një sërë intervenimesh në lagjet e Prishtinës pas reshjeve

Prishtinë | 19 Kor 2021 | 19:37 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se Drejtoria e Shërbimeve Publike ka intervenuar në lagjet të cilat janë dëmtuar si pasojë e reshjeve të mëdha.

Njoftimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Drejtoria e Shërbimeve Publike në kuadër të Komunës së Prishtinës, sot gjatë gjithë ditës ka punuar në teren me ekipet e saja emergjente (ato të mbrojtjes, shpëtimit dhe mirëmbajtjes së rrugëve), dhe në koordinim të plotë me Kabinetin duke intervenuar në pjesët ku ka pasur nevojë si pasojë e dëmeve nga reshjet e së dielës mbrëma.

Këto reshje kanë përfshirë të gjithë rajonin, duke mos kursyer as qytetin e Prishtinës por fatmirësisht pa dëme serioze. Drejtoresha e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, znj. Medina Braha, është angazhuar me të gjitha ekipet sot në terren dhe ka dalë në inspektim të punimeve dhe në mbështetje të qytetarëve të Prishtinës të prekur nga reshjet. Janë ndërmarrë një sërë intervenimesh në rrugët, lagjet, fshatrat dhe sheshet kryesore të qytetit, në të cilat janë liruar pusetat, zhbllokuar kanalizimet si dhe është kryer pastrimi i rrugëve dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Parqeve është bërë largimi i degëve dhe drunjëve të rrëzuara nga erërat dhe reshjet.

Komuna falënderon të gjitha ekipet dhe kompanitë që janë angazhuar në këtë. Ndërkohë që presim raportet finale të vlerësimit për të bërë të ditur edhe bilancin e dëmeve që janë shkaktuar si pasojë e reshjeve.

Konstatimet e hollësishme nga ky vlerësim do të ju dërgohen Drejtorisë së Inspekcionit, Drejtorisë së Investimeve Kapitale, KEDS-it dhe çdo organi tjetër relevant për ndërmarrjen e masave parandaluese dhe për sanimin e dëmeve.

Ashtu siç e kemi potencuar edhe mbrëmë, situata është nën kontrrollë dhe fatmirësisht nuk ka dëme në njerëz. 

Duhet të theksojmë se me reshjet si ato të mbrëmshme po ballafaqohen edhe qytetet më të zhvilluara në Evropë, një sfidë që kërkon angazhim të gjerë si të qeverisjes lokale, qendrore ashtu edhe organeve të tjera kompetente e politike globalisht.

Ne do të bëjmë çdo përpjekje që të mbështesim dhe sigurojmë qytetarët tanë.  Të rreshurat nuk mund ti kontrollojmë, por mund që dëmet ti sanojmë!

Të ngjashme