Besnik Osmani largohet nga pozita e Auditorit të Përgjithshëm

Prishtinë | 19 Kor 2021 | 18:51 | Nga Ekonomia Online

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, Besnik Osmani, ka njoftuar largimin e tij nga Zyra Kombëtare e Auditimit, duke thënë se angazhimit të tij 22-vjeçar në Shërbimin Publik i ka ardhur fundi.

Me anë të një postimi në Facebook, Osmani tha se pret që Kuvendi sa më shpejt ta emërojë pasuesin e tij.

Postimi i plotë:

Angazhimit tim 22 vjeçar në Shërbimin Publik të Kosovës nga të cilat 5 vjet në Ministrinë e Financave, 12 vjet në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe së fundmi 5 vjet në Zyrën Kombëtare të Auditimit i ka ardhur fundi. Po pres me padurim, që Kuvendi të ketë sukses dhe emëroj sa më shpejt pasuesin tim.

Sigurisht që ndihem krenar që largohem nga Zyra Kombëtare e Auditimit në kulmin e sukseseve personale e institucionale dhe për këtë dua të falënderoj ish-Presidenten Jahjajga që më dha besimin si kandidat dhe Kuvendin e Republikës së Kosovës që më dha mandatin si Auditor i Përgjithshëm, t’i shërbej vendit në këtë funksion publik të rëndësishëm.
Uroj që të gjithë atyre që më kanë besuar detyra me përgjegjësi të mos i kem zhgënjyer me angazhimin tim.

Për të gjithë kolegët dhe bashkëpunëtorët në institucionet publike, partnerët nga shoqëria civile, mediat e akademia si dhe këshilltarët e organizatave ndërkombëtare që punuam së bashku përgjatë viteve u shpreh mirënjohjen dhe respektin e thellë dhe i falënderoj për durimin dhe ndihmën që më kanë dhënë gjatë rrugëtimit tim. Një falënderim special kam për të gjithë ata që mbështeten pakufishëm përpjekjet e mia dhe bashkëpunëtorëve të mi, për qeverisje të mirë, rend dhe ligj. Sigurisht, pa këta të fundit s’do kisha mundur kurrë t’i tejkaloj disa sfida të rënda në përvojën time.

Mbes me shpresë që kam dhënë një kontribut modest në themelimin dhe zhvillimin e administratës publike në vend, në mirëqenien e qytetarëve dhe në përparimin e vendit tim. Në të kundërtën, më vjen keq që ju kam zhgënjyer!

Të ngjashme