Danimarka merr me qira 300 qeli në Gjilan, Kosova përfiton 210 milionë €

Prishtinë | 16 Dhj 2021 | 13:20 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kosova dhe Danimarka së shpejti do të nënshkruajnë një marrëveshje për shfrytëzimin e Qendrës Korrektuese në Gjilan për të burgosur nga sistemi i drejtësisë i Danimarkës.

Bëhet fjalë për 300 të burgosur e për të cilët, Kosova do të përfitojë 210 milionë euro kompensim nga shteti danez. Marrëveshja do të firmoset më 20 dhjetor dhe do të vlejë 10 vjet.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka konfirmuar se kërkesa ka të bëjë për marrjen me me qira nga sistemi danez i drejtësisë të Qendrës Korrektuese, e cila ndodhet në Gjilan, raporton Ekonomia Online.

“Në momentin kur kam pranuar detyrën e ministres, jam njoftuar për një që kishte të bënte me shfrytëzimin e një qendre korrektuese si kërkesë e Danimarkës, qëllimi ishte që në 300 vende në një prej qendrave korrektuese në Kosovë të shfrytëzohen nga Danimarka, dhe për faktin aso kohe nuk kishin respektuar procedurat për marrëveshjen ndërkombëtare sepse është marrëveshje ndërkombëtare dhe duhet ratifikim nga Kuvendi. Kam kërkuar që të ndiqen procedurat sikurse siç e parasheh ligji dhe e kemi kthyer në pikën zero”.

“Tani është arritur një marrëveshje në parim, ndonëse nuk ka asgjë të nënshkruar, dhe e pres në takim të hënën ministrin e Drejtësisë danez. Kjo marrëveshje përfshinë edhe përkrahje financiare për Kosovën, ndonëse detaje nuk mund të japë dhe po ashtu investimi në energji të ripërtrishme e cila është nevojë emergjente për Kosovën dhe përkrahje tjera në sundimin e ligjit”, tha ajo.

Megjithëse ministrja Haxhiu ka thënë se nuk mund të japë detaje, Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se Republika e Kosovës përfiton 210 milionë euro, të cilat do të dedikohen edhe në investime kapitale, në veçanti për energjinë e ripërtërishme.

“MD-ja njofton se janë pajtuar për një marrëveshje me institucionet e Mbretërisë së Danimarkës, respektivisht Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Bashkëpunimit Zhvillimor për lirimin e një institucioni korrektues me kapacitet për treqind të dënuar. Ministria e Drejtësisë zotohet për lirimin e një institucioni korrektues me kapacitet për treqind të dënuar, të cilët do të sjellën nga Mbretëria e Danimarkës. Të dënuarit të cilët do të transferohen në këtë institucion nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë. Si kompensim për këtë, Republika e Kosovës përfiton 210 milionë euro, të cilat do të dedikohen edhe në investime kapitale, në veçanti për energjinë e ripërtërishme”, thuhet në një komunikatë të MD-së.

Ministrja Haxhiu ka thënë se kërkesat e Kosovës janë që të burgosurit të mos jenë të dënuar për terrorizëm dhe me probleme mendore, ndërkaq tha se Shërbimi Korrektues do të jetë i Kosovës, raporton EO.

“Të burgosurit nuk munden me qenë të akuzuar për terrorizëm ose probleme mendore, kam kërkuar që mos të përfshihen në këtë marrëveshje. Do të jenë persona që do të jenë të dënuar për krime tjera, ndërsa nacionaliteti do të dihet nga ministri danez kur do të vije të hënën. Ne kemi shprehur interesim për t’u njoftuar për vizitat e familjarëve të tyre, për ligjet se a do të vlejnë ato të Kosovës apo të Danimarkës. Oficerët korrektues do të jenë nga Kosova dhe mirëqenia do të jetë e tyre, prandaj detajet tjera do të informoheni më kohë”, tha ajo.

Të ngjashme