Dedaj: Masakra e Mejës po harrohet nga shteti

Prishtinë | 27 Pri 2017 | 08:48 | Nga

Në Mejë të Gjakovës sot përkujtohet masakra e këtij fshati, e me këtë rast ish-kryetari i Partisë Liberale të Kosovës (PLK), aktualisht zëvendësministër i Pushtetit Lokal, Gjergj Dedaj, ka thënë se kjo masakër që është më e madhja në Kosovë, s’e ka vëmendjen e merituar, “ajo shpesh injorohet dhe anashkalohet”.

Këto deklarata Dedaj i bëri në “Kosova Direkt” në ”Klan Kosova”, duke thënë më tej se kjo masakër ku mbetën të vrarë afër 400 shqiptarë, duhet të ketë vëmendje institucionale.

“Më 27 prill bëhen 17 vite prej masakrës më të madhe në Kosovë. Më 27 prill 1999 forcat policore ushtarake kriminale vranë afër 400 shqiptarë të pafajshëm. Kjo ishte një masakër që ka tronditur gjithë opinion ndërkombëtar.

Fatkeqësisht kjo masakër se ka vëmendjen e merituar shpesh herë injorohet dhe anashkalohet. Nuk e di për çfarë qëllimi por mendoj se kjo masakër duhet të ketë një vëmendje më të madhe institucionale”, ka thënë ai.

Dedaj ka shtuar se shpesh herë ka ngritur zërin për të gjitha familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre. “Jo që unë ngrita zërin që e kam përjetuar vet, por jam solidarizuar me të gjitha familjet që i kanë humbur më të dashurit e tyre.

Sidomos të Gjakovës, si komuna më e dëmtuar e luftës. Ligji dhe drejtësia nuk kanë shkuar në vendin e duhur, nuk është arrestuar askush për këtë masakër. Fatkeqësisht deri më sot askush s’ka dhënë përgjegjësi për këtë masakër. Meja dhe Gjakova meriton një premtim ma korrekt dhe dinjitoz të institucioneve të Kosovës”, ka thënë Dedaj.

Ai ka folur edhe për organizimin që do të bëhet sot në përkujtim të të vrarëve. “Fillimisht do të ketë vizita nëpër fshatrat dhe përmendoret e ndryshme të Gjakovës. Rreth orës 12:00 do të jetë manifestimi qendror.

Familjar të shumtë nga Gjakova dhe e gjithë Kosova vijnë për t’i përkujtuar të gjithë ata që kanë dhënë gjakun për Kosovën. Ata janë gur-themel i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, është shprehur zëvendësministri Dedaj.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme