“Dy persona në gjendje të rëndë, sot transferohen në Zagreb”, detaje nga gjendja e të lënduarve në Kroaci

Prishtinë | 26 Kor 2021 | 08:18 | Nga Ekonomia Online

10 persona mbetën të vdekur nga një aksident trafiku që ndodhi dje në autostradën afër Slavonski Brod në Kroaci.

Nga 69 persona sa ishin gjithsej në autobusin që u aksidentua, dhjetëra prej tyre pësuan lëndime të rënda dhe janë duke u trajtuar në spital.

Media kroate INDEX, raporton se 42 persona janë dërguar në spitalin e Slavonski Brod, ndërsa dy të tjerë në spitalin e Novi Grad.

Një burrë i cili u shtrua fillimisht në spitalin e Novi Grad me një dëmtim të shtyllës kurrizore u transportua në Zagreb për trajtim të mëtejshëm.

Sipas informacioneve të mëtejshme, dy persona janë në njësinë e kujdesit intensiv dhe jeta e tyre është në rrezik. Ata do të transferohen sot në Zagreb.

Disa nga personat që patën lëndime të lehta, sot do të dalin nga spitali.

Mes të vdekurve ishte edhe një shofer

Një nga të vdekurit në aksident është njëri nga dy shoferët e autobusit me targa të Kosovës, i cili nuk ishte duke vozitur në momentin kur ndodhi aksidenti.

Djali i tij Adhurim Sylmetaj i dha lamtumirën e fundit me një mesazh në Facebook.

“Ah, baba, dhimbja është shumë e madhe, trishtimi është shumë i madh. Ditën që ju shoqërova deri në autobus, ju përqafova, por jo aq sa duhet. Zoti ju dha parajsën”, ka shkruar dje djali i shoferit që vdiq.

Për rastin tragjik, ka dhënë detaje policia e Kroacisë përmes një deklarate.

Shoferi i cili ishte pas timonit në kohën e aksidentit i tha policisë se e zuri gjumi për një moment.

Natën e kaluar, Kryeministri Plenković dhe Kryeministri i Kosovës Albin Kurti vizituan të plagosurit në Spitalin e Përgjithshëm, Slavonski Brod.

Pas kësaj, ata u drejtuan për në konviktin Antonio, ku ishin vendosur katërmbëdhjetë njerëz që nuk u lënduan në aksident.

Siç ka mësuar portali lokal SBOnline, ata do të qëndrojnë edhe sot në Slavonski Brod.

Të ngjashme