Flet vëllai i viktimës nga Podujeva: Më telefoi nipi më tha “Kemi bërë aksident, babi ka vdekë”

Prishtinë | 26 Kor 2021 | 16:03 | Nga Ekonomia Online

S.Rrustemi është njëri nga 10 viktimat e aksidentit që ndodhi në Slavonski Brod në Kroaci mëngjesin e ditës së djeshme.

Vëllai i të ndjerit, Muhamet Rrustemi, në një prononcim për Klan Kosovën ka treguar se lajmin për vdekjen e vëllait e ka kuptuar nga nipi i tij, i cili e ka telefonuar nga një telefon i pasagjerëve.

“Dje në ora 05:40 ka thirrur nipi nga një telefon i pasagjerëve dhe më ka treguar që kanë bërë aksident. Në ato momente ishte e vështirë dhe më thoshte “bal, kemi bërë aksident, babi ka vdekë” dhe unë nuk dija asgjë tjetër dhe mbeta i hutuar se si mund të ndodh në autobus”, ka thënë Muhamet Rrustemi.

Tutje, ai thotë se me të marrë lajmin është nisur për në Merdare, pasi që mendonin se aksidenti ka ndodhur diku afër dhe se nipi i tij i ka thënë se aksidenti ka ndodhur në Kralevë.

“Por më të arritur në kufi e morëm vesh se aksidenti ka ndodhur në Kroaci. Më pas e kemi thirrur vëllain që është në Slloveni dhe ai ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe më pas ka shkuar edhe djali i vëllait që ka ndërruar jetë”.

Rrustemi thotë se vëllai i tij në momentin kritik ishte duke udhëtuar me bashkëshorten e tij dhe dy djemtë e vogël, teksa të tre ndodhen në Kroaci ndërsa lajmin për vdekjen e bashkëshortit gruas së tij ia kanë dhënë sot.

Të ngjashme