Gazetarët serb protestojnë në kufirin Kosovë-Serbi, e bllokojnë rrugën me pajisje televizive

Prishtinë | 17 Shk 2021 | 12:15 | Nga Ekonomia Online

Gazetarët serb protestojnë në kufirin Kosovë-Serbi, e bllokojnë rrugën me pajisje televizive

Gazetarët nga redaksitë serbe nga Kosova janë mbledhur në pikëkalimin kufitar me Serbinë në Jarinje duke protestuar për “shkeljen e lirisë së medias”. Ata e bllokuan rrugën, pasi thonë se një ekip Radio Televizionit Serb nuk është lejuar të hyjë në Kosovë për tri ditë, transmeton Gazeta Express.

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Serbisë në Kosovë, Budimir Niçiq, u ka bërë thirrje përfaqësuesve të autoriteteve në Prishtinë për t’ua mundësuar lirinë e lëvizjes për gazetarët dhe ta bëjnë punën e tyre pa u penguar. Ai tha se punonjësit e mediave duan t’i mbështesin kolegët e tyre dhe të shprehin pakënaqësitë përmes kësaj proteste.

“Ky është ngacmim klasik, duke rrezikuar të drejtat e njeriut dhe liritë e medias. Gjithashtu, kjo është një shkelje e të gjitha vlerave dhe normave civilizuese dhe kjo duhet të ndalet menjëherë. Është e pakuptueshme që përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare që e kanë gojën plot me liri të mediave dhe përfaqësuesit e serbëve në institucionet e Kosovës heshtin. Nëse kanë pushuar nga kremtimi i zgjedhjeve, mendoj se duhet të bëjnë diçka konkrete, sepse ky është ekipi i tretë në ditët e fundit që është ndaluar këtu”, tha Niçiq dhe u bëri thirrje përfaqësuesve të autoriteteve në Prishtinë që të mundësojnë lirinë e lëvizjes për gazetarët.

Më shumë se njëzet gazetarë vendosën pajisjet televizive dhe bllokuan rrugën për rreth pesë minuta. Gazetarët e mbledhur mbanin banderola ku shkruhej “Liria e medias” dhe “Liria e fjalës”.

Shoqata e Gazetarëve të Serbisë paraprakisht njoftoi se do të informojë institucionet dhe shoqatat ndërkombëtare për këtë “sulm ndaj lirisë së shtypit”.

Ditën e zgjedhjeve në Kosovë, ekipet e Televizionit Rajonal të Kraljevës dhe Televizionit Pink, të cilëve nuk u lejohej të hynin në Kosovë, thuhet se po ashtu u ndaluan në pikëkalimin kufitar në Jarinje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme