Ibrahimi pas takimit me Hotin: S’do të ketë shtrëngim të masave, komunat gati për vaksinim

Prishtinë | 12 Mar 2021 | 12:50 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komunat e Kosovës tashmë i kanë bërë të gjitha përgatitjet për vaksinimin e popullatës kundër Coronavirusit, ka konfirmuar në një intervistë për Ekonomia Online, drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

Ibrahimi tutje ka folur edhe për takimin që kanë pasur Këshilli i kryetarëve me kryeministrin në detyrë Avdullah Hoti.

Ai tha se konstatim i përbashkët ka qenë që mos të ketë shtrëngim të masave, por vetëm një rigorozitet në zbatim të tyre.

“Komunat i kanë vënë në dispozicion resurset humane të tyre nëpër qendrat e mjekësive familjare, gjithashtu i kanë bërë edhe planet operative për vaksinimin e popullatës dhe kështu që komunat janë përgatitura dhe presin vetëm ardhjen e vaksinave”.

Ai tha se 85% e rasteve pozitive me Covid-19 janë trajtuar në nivel lokal dhe vetëm 15% janë dërguar në Spitalin Qendror të Prishtinës.

“Sot këshilli i kryetarëve u takuam me kryeministrin në detyrë Avdullah Hoti si dhe me ministrin në detyrë Armend Zemaj dhe u diskutua për situatën aktuale rreth masave anti-Covid dhe funksionimit të shtabeve emergjente komunale si dhe mundësive më të mëdha për monitorimin e zbatimit të masave anti-Covid. Në përgjithësi situata është e menaxhuar nga niveli lokal, dhe të gjithë kryetarët e komunave u shprehën të gatshëm që masat të cilat janë paraparë të respektohen ashtu siç janë respektuar deri më tani dhe gjithashtu drejtorët komunal të shëndetësisë janë të angazhuar maksimalisht dhe për këtë arsye rreth 85% janë trajtuar në nivel lokal dhe vetëm 15% janë dërguar në Spitalin Qendror të Prishtinës”.

“Në përgjithësi është konstatuar se duhet një monitorim më rigoroz në respektimin e masave anti-Covid dhe ishte konstatim i përbashkët se nuk duhet të kemi shtrëngim të masave, mirëpo vetëm një rigorizitet sa i përket zbatimit të masave aktuale anti-Covid. Situata është e menaxhueshme nga niveli lokal, shtabet komunale janë mirë të organizuara dhe kryetarët e komunave kanë komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët në baza ditore dhe janë duke i zbatuar masat anti-Covid”, tha Ibrahimi për EO.

Ibrahimi tha se duke krahasuar me numrin e infektimeve me verën e vitit të kaluar, përqindja nuk është më e madhe se 18%.

“Gjithmonë kemi diskutuar me nivelin qendror sa i përket masave anti-Covid edhe takimi i sotëm ishte në vazhdën e koordinimit të aktiviteteve sa i përket masave anti-Covid”.

“Nëse marrim dhe krahasojmë përqindjen e të infektuarve të ditës së sotme dhe të verës së kaluar atëherë del se përqindja nuk është më e madhe se 18%, kurse kemi pasur në verën e vitit të kaluar kanë dalë mbi 50% dhe për këtë arsye është konstatuar se masat aktuale kanë dhënë rezultat”.

Të ngjashme