KDI: Dialogu nuk ndikoi në shtrirje të sovranitetit në veri

Prishtinë | 25 Pri 2017 | 13:42 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka prezantuar rezultatet e sondazhit të tretë për “Dialogun Kosovë-Serbi: 6 Vite pas (mos) konsolidim i shtetësisë: këndvështrimi i qytetarëve rreth dialogut Kosovë-Serbi”.

Në këtë sondazh KDI ka adresuar çështjet kryesore dhe më të debatuara në vend rreth këtij procesi që lidhen me shtrirjen e sistemit të drejtësisë në tërë territorin e vendit, shpërbërjen e strukturave paralele serbe, shtrirjen e sovranitetit të institucioneve të Kosovës në tërë territorin e vendit si dhe ndikimin e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në marrëdhënien ndëretnike.

Jeta Krasniqi nga KDI-ja duke prezantuar të gjeturat e këtij sondazhi tha se 46 % e qytetarëve të Kosovës, vlerësojnë se asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të ndikojë në përkeqësimin e raporteve ndëretnike, raporton Ekonomia Online.

“Rreth 51 % e qytetarëve të Kosovës vlerësojnë se dialogu Kosovë-Serbi nuk ka ndikuar që Kosova të shtrijë sovranitetin e saj në veri të vendit, janë vetëm 4% e qytetarëve që vlerësojnë se dialogu Kosovë-Serbi ka pasur ndikim në këtë aspekt”, ka thënë ajo.

Sipas saj 48% e qytetarëve vlerësojnë se strukturat paralele serbe në Kosovë të financuara nga shteti i Serbisë nuk janë shuar, vetëm 4% besojnë se këto struktura janë shuar plotësisht pas 6 viteve të dialogut me Serbinë.

“Qytetarët e Kosovës në nivel të lartë, 58% e tyre, vlerësojnë se marrëveshja për drejtësi nuk do të jetë e suksesshme për të integruar gjykatat e veriut në sistemin gjyqësor të Kosovës”, tha ajo.

“KDI i rekomandon Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që procesi i zbatimit të marrëveshjeve të jetë më transparent për qytetarët e Kosovës dhe të ketë informim sistematik mbi shkallën e zbatueshmërisë së marrëveshjeve dhe efekteve të tyre të pritshme në terren. Po ashtu Qeveria duhet të shtoj angazhimin e saj konkret për të shuar strukturat paralele serbe të financuara nga shteti i Serbisë në të gjitha fushat në tërë territorin e vendit”, ka shtuar Krasniqi.

Njëkohësisht ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme për të garantuar shtrirjen e sovranitetit të shtetit në tërë territorin e vet.

KDI vlerëson se Qeveria e Kosovës duhet të garantojë një qasje gjithpërfshirëse dhe një transparencë të plotë për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke shtjelluar në detaje kompetencat e këtij mekanizmi, dhe duke garantuar një debat të mirëfilltë shoqëror rreth efekteve të tij.

Lexo më shumë:

Të ngjashme