“Kjo tragjedi na preu rrugën”, Deva Tours del me komunikatë pas tragjedisë së djeshme

Prishtinë | 26 Kor 2021 | 14:41 | Nga Ekonomia Online

Kompania Deva Tours ka reaguar edhe njëherë pas aksidentit të trafikut që ndodhi dje në Kroaci, ku 10 persona mbetën të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të lënduar.


Në një komunikatë për media, nga kjo kompani, kanë shkruar se me  trishtim dhe dhimbje të madhe po e përjetojnë çdo sekond të tragjedisë së djeshme “e cila do të na përcjellë gjatë gjithë jetës”.

“Është e vështirë të gjinden mendimet dhe fjalët racionale për t’a përshkruar peshën e dhimbjes që secili nga ne po e bart mbi supe. Bashkendjejmë sot me secilin prej jush me ndjenjat më të sinqerta të dhembshurisë pasi që ata ishin edhe vëllezërit dhe motrat tona me të cilët kemi bashkëudhëtuar shumë herë”, thonë nga kjo kompani.

“Si gjithmonë, jemi përpjekur të jemi maksimalisht në krye të detyrës dhe shërbimit sa më të mirë për bashkatdhetarët tonë. Por, fatkeqësisht kjo tragjedi na preu rrugën dhe na mori me vete më të dashurit, dhe poashtu edhe kolegun tonë shembullor Naserin i cili la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tonë si njeri i mire, puntor i zellshëm dhe i kompletuar.  Pranoni edhe një herë ngushëllimet tona më të sinqerta! Duke ju falënderuar organeve të shtetit Kroat dhe Kosovar për gatishmërinë e treguar, mbesim të hapur dhe me besimin e plotë që do të zbardhet çdo rrethanë rreth kësaj ngjarje.  Me mendje, zemër dhe lutje do të jemi çdo moment me të lënduarit të cilëve ju dëshirojmë shërim sa më të shpejtë dhe t’i kthehen familjeve të tyre”, thuhet në komunikatë.


Të ngjashme