Ministri kërkon shkarkimin e katër anëtarëve të “Iber-Lepencit”

Prishtinë | 07 Maj 2018 | 15:49 | Nga

Ministri nga radhët e AKR-së, në dokumentin që e kanë siguruar mediet javën e kaluar, për shkarkimin e katër anëtarëve të bordit e ka përdorur si pretekst një vendim të këtij bordi ku ndër tjera parashihej rritja e pagave dhe marrja e pagës së 13-të për të gjithë punëtorët e ndërmarrjes “Ibër Lepenc”.

Dy anëtarë të rinj i janë shtuar disa javë më parë bordit të Ndërmarrjes Publike “Ibër-Lepenc”, kur Qeveria e Kosovës emëroi në bordin e kësaj ndërmarrjeje ish-kandidatin për deputet të Kuvendit të Kosovës nga PDK, Muharrem Xhemajlin dhe Liridon Zogianin, po ashtu i afërt me Partinë Demokratike.

Në vazhdën e emërimeve të reja në bordin e “Ibër-Lepencit”, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka propozuar shkarkimin e katër anëtarëve aktual të bordit të kësaj ndërmarrjeje.

Njejtë sikurse emërimet e fundit në “Ibër-Lepenc”, edhe vendimi i ministrit Lluka për largimin e anëtarëve të bordit dyshohet se ka një prapavijë politike. Katër anëtarët e bordit për të cilët Lluka ka marrë propozim-vendim për t’i shkarkuar, janë të afërt me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Anëtarët të cilët pritet të shkarkohen janë: Fatos Salihi, Albina Maloku, Imer Hamiti dhe Sami Veliu, shkruan Insajderi.

Momentalisht kryesues i bordit të “Ibër-Lepencit” është Fatos Sahiti, i cili është i afërt me LDK-në. Ai është vëllai i gruas së ish-ministrit të Infrastrukturës Lutfi Zharkut. Është në listën e anëtarëve që ministri Lluka dëshiron t’i shkarkojë.

Ndërkaq, anëtarja tjetër e padëshirueshme në bord është Albina Maloku. Ajo është motra e Vlora Dumoshit, raporton Insajderi.

I afërt me LDK-në aty njihet edhe Imer Hamiti, ish-kryesues i Bordit në “Termokos”. Edhe ai është në listën e “shkarkimit” të ministrit Lluka. Po ashtu, edhe Sami Veliu është i afërt me LDK-në. Ai është vëllai i Agim Veliut, nënkryetarit të Lidhjes Demokratike.

Megjithatë, ministri Valdrin Lluka nuk ka thënë se propozimi për shkarkimin e katër anëtarëve të bordit të “Ibër-Lepencit” ka të bëjë me lidhjet politike të tyre.

Ministri nga radhët e AKR-së, në dokumentin që e kanë siguruar mediet javën e kaluar, për shkarkimin e katër anëtarëve të bordit e ka përdorur si pretekst një vendim të këtij bordi ku ndër tjera parashihej rritja e pagave dhe marrja e pagës së 13-të për të gjithë punëtorët e ndërmarrjes “Ibër Lepenc”.

 “…përkundër humbjeve të audituara nga Auditori i Pavarur prej 4,177,032 eurove, me datën 10 prill 2018 kanë nxjerrë vendim për ndarje të shpërblimit në lartësinë 50% të honorarit themelor vjetor për anëtarët e Bordit të Drejtorëve për vitin 2017 si dhe një pagë shtesë mujore (paga e 13-të) për të gjithë të punësuarit e ndërmarrjes”, thuhet në propozim-vendimin për shkarkim, i cili i është dërguar edhe Kryeministrit.Referuar kësaj letreje, thuhet se vendimi i bordit përveç që cenon skajshmërisht dispozitat ligjore në fuqi, gjithashtu krijon situatë të pafavorshme financiare për ndërmarrjen dhe aksionarin, respektivisht, Republikën e Kosovës si pronare e kësaj ndërmarrjeje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme