Situata epidemiologjike me Covid jo e mirë

Prishtinë | 27 Shk 2021 | 12:46 | Nga Ekonomia Online

Dy javët e fundit në Kosovë është shënuar rritje e numrit të rasteve të të infektuar me Covid-19. Infektologët në vend e shohin shqetësues faktin e mos respektimit të masave anti covid, por edhe mungesën e vaksinës kundër koronavirusit.

Situata epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë, ka filluar të përkeqësohet. Kjo mund të ilustrohet me faktin se në dy javët e fundit kemi rritje të rasteve për 7.7 %, me një tendencë të rritjes edhe më të madhe në tri ditët e fundit.

Këto janë të dhënat e fundit të ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Trendin e rritjes së numrit të të prekurve me koronavirus e shohin shqetësues infektologët në vend. Ata thonë se mos respektimi i mjaftueshëm i masave anti covid si dhe mos arritja e vaksinës do të rrisë edhe numrin e të infektuarve në Kosovë.

Ilir Tolaj infektolog tha për Radio Kosovën se ka  vonesa të sigurimit të vaksinës në ecurinë e pandemisë. Sa më herët që të fillohet me vaksinimin aq më herët do ta krijohet imunitetin kolektiv. Andaj siç thotë ai,  mos respektimi i masave dhe mos vaksinimi i popullatës do të ndikonte edhe në përhapjen e pa kontrolluar të virusit në mesin e njerëzve.

‘’Sa më shumë që shtyhet ardhja e vaksinës, aq më shumë do të ballafaqohemi me raste herë më pak e herë më shumë. Autoritetet kompetente në Kosovë kanë dështuar në sigurimin e vaksinës qoftë me kompanitë apo edhe me shtete të tjera, e që ka bërë që Kosova të jetë në vendin e fundit në rajon në këtë pikë’’, tha Zemaj. 

Ndërsa, sa u përket vaksinave, Ministria e Shëndetësisë është duke pritur kontingjentin e parë të vaksinave dhe është e gatshme që posa të vijnë, të zbatohet strategjia e vaksinimit anti COVID-19 në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Ndryshe sipas informatave të fundit nga kompania AstraZeneca, kjo e fundit po përpiqet që t’ia dorëzojë Bashkimit Evropian vetëm 40 milionë doza të vaksinës kundër COVID-19, deri në fund të marsit.

Kjo përbën më pak se gjysmën e sasisë  që premtoi në kontratën e saj për tremujorin e parë të vitit, tha drejtori ekzekutiv i AstraZenecas, Pascal Soriot, të enjten para ligjvënësve evropianë.

Më herët kjo kompani kishte premtuar se do të ofronte rreth 90 milionë doza në tremujorin e parë të këtij viti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme