Vdekja e dy kosovarëve në Gjermani, MPJD thirrje bashkatdhetarëve të lajmërohen në konsullata

Prishtinë | 21 Kor 2021 | 13:27 | Nga Ekonomia Online

Mbi 100 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet në Gjermani, ndërkohë është duke vazhduar kërkimi për njerëzit e zhdukur.

Në mesin e viktimave janë edhe dy kosovarë. Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) kanë deklaruar se ambasada e Kosovës në Gjermani po e përcjellë nga afër situatën e krijuar atje.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), përmes ambasadës dhe konsullatave në Gjermani është duke përcjellë nga afër situatën në Gjermani dhe është në kontakt me shumë familje dhe pjesëtarë të mërgatës në zonat e prekura nga katastrofa natyrore. Bazuar në të dhënat zyrtare, deri më tani ka humbur jetën një person me shtetësi kosovare si dhe një person tjetër që ka njërin prind me shtetësi të Kosovës përderisa viktima mbanë shtetësinë gjermane”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së për Telegrafin.

Tutje, MPJD-ja, fton të gjithë bashkatdhetarët që të lajmërohen në konsullatat më të afërta të cilat janë të gatshme në çdo kohë të ofrojnë asistencën e nevojshme.

Ndryshe, një javë pas katastrofës së përmbytjeve, sidomos në pjesën perëndimore të Gjermanisë, qeveria federale ofron një ndihmë emergjente prej 400 milionë eurosh. Me këto para synohet të eleminohen dëmet më të mëdha të ndërtesave dhe të infrastrukturës komunale dhe të kapërcehen nevojat e tjera urgjente.

Shuma prej rreth 400 milion eurosh do të ofrohet përgjysmë nga qeveria federale dhe nga qeveritë e landeve.

Të ngjashme