Vrasja e dy vëllezërve në Shaptej të Deçanit, Gjykata urdhëron t’i bëhet superekspertizë psikiatrike të akuzuarit

Prishtinë | 22 Kor 2021 | 19:19 | Nga Ekonomia Online

Konstatimet e kundërthënëse të dy ekspertizave të Institutit të Psikiatrisë Forenzike, lidhur me ekzistencën e afektit mendor të të pandehurit Durim Lushaj, ka bërë që Gjykata e Pejës të urdhërojë një superekspertizë psikiatrike ndaj të akuzuarit.

Durim Lushaj akuzohet se më 25 gusht 2016, në fshatin Shaptej të Deçanit, pas një mosmarrëveshjeje paraprake, e ka privuar nga jeta tani të ndjerin Rexhep Ramaj.

Kurse, pas kësaj, i njëjti akuzohet bashkë me babain e tij, Sali Lushajn për vrasjen e tani të ndjerit Burim Ramaj.

I akuzuari Durim Lushaj do të nënshtrohet ekspertimit të ri psikiatrik për të vërtetuar përfundimisht nëse vrasjet i kreu nën afekt mendor, pasi dy ekspertizat e mëhershme përmbanin konstatime të kundërta rreth ekzistencës së afektit mendor.

Njëra prej ekspertizave konstatonte se Durim Lushaj kishte kryer vrasjen në afekt mendor, ndërsa tjetra përcaktonte se Lushaj në kohën e kryerjes së vrasjes nuk kishte patur afekt mendor.

Një vendim të tillë e ka marrë kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, gjatë seancës të së enjtes në Gjykatën e Pejës, pas propozimit të mbrojtësit të Durim Lushajt, avokatit Salih Mekaj.

“Gjykata në bazë të ligjit e ka detyrim të kërkojë superekspertizë pasiqë gjykata ka dy ekspertiza të pranueshme të cilat janë me konstatime kundërthënëse. Këtë ekspertizë do të urdhërojmë në Institutin e Psikiatrisë. Nëse nuk ka ekspertë brenda Institutit atëherë do të kërkojmë ekspertë nga jashtë”, tha gjykatësja Husaj-Rugova, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, para marrjes së vendimit të tillë, në gjykatë ishte i ftuar edhe kryetari i komisionit, eksperti i psikiatrisë forenzike, Shpend Haxhibeqiri, i cili kishte marrë pjesë ne ekzaminimin psikiatrik të pandehurit Durim Lushaj.

Eksperti tha se tek i pandehuri Lushaj nuk kishin gjetur se i njëjti të ketë patur ndonjë çrregullim mendor apo afekt mendor në kohën e kryerjes së veprës penale.

“Ne kemi thënë se nuk kemi gjetur çrregullim të përhershëm apo të përkohshëm që kishte për të ndikuar në aftësinë e tij mendore për të kuptuar dhe kontrolluar sjelljet e tij. Ne s’kemi gjetur as elemente të afektit mendor, andaj nuk e kemi shënuar në ekspertizë”, tha eksperti Haxhibeqiri.

Mbrojtësi i të pandehurit Durim, avokati Salih Mekaj, pyeti nëse kishin marrë për bazë faktin nëse lëndimet trupore të shkaktuara ndaj babait të pandehurit Durim, Sali Lushaj, kanë ndikuar që tek i pandehuri të shkaktohet afekti mendor.

Eksperti tha se kishin shqyrtuar edhe lëndimet e babait të pandehurit mirëpo sipas tij, për të ekzistuar afekti mendor duhet të plotësohen tri faza, ndërsa babai i të pandehurit nuk kishte qenë prezent në fazën e parë të ngjarjes dhe se gjendja e afektit mendor mvaret nga shumë rrethana tjera dhe faktorë të jashtëm, sipas të cilit nuk ekzistonin në rastin e të pandehurit Durim.

“Siç shihet në video, z. Sali Lushaj në video nuk ka qenë prezent në fazën e parë të afektit mendor, si kusht për tu plotësuar”, tha eksperti Haxhibeqiri.

Pas deklarimit të ekspertit, reagoi i pandehuri Durim Lushaj i cili tha se ishte viktimë e inateve mes ekspertëve ose viktimë e gjykatës.

“Eksperti disa herë më ka thënë gjatë qëndrimit në ekzaminim se gjykatësja është e vështirë dhe se n aka zgjedh gjyatësja. Unë du me ditë a është luftë midis kolegëve apo është tu tut nga gjykata”, pyeti Lushaj.

“Nuk është e vërtetë që iu kam tut gjykatës. Trupin gjykues po e shoh tani”, tha eksperti.

Në anën tjetër, avokati Salih Mekaj ekspertizën psikiatrike e cilësoi se ishte përpiluar në kundërshtim me dispozitat ligjore pasi nuk përmbante analizë me provat e lëndës dhe se komisioni nuk ishte formuar në harmoni me rekomandimin e Gjykatës së Apelit.

Mekaj propozoi që kjo provë të shpallet e papranueshme apo të caktohet një superekspertizë psikiatrike.

Seanca e radhës u caktua me 30 shtator, 4 dhe 8 tetor 2021, ora 10:00

Për këtë vrasje, Gjykata Themelore në Pejë, më 14 prill 2018, e kishte shpallur fajtor Durim Lushajn dhe ndaj tij kishte shqiptuar dënim unik me 25 viteve burgim për vrasje të rëndë e armëmbajtje pa leje. Fajtor ishte shpallur edhe Sali Lushaj, ku ndaj tij ishte shqiptuar dënimi unik me 18 vite burgim për vrasje të rëndë në bashkëkryerje e armëmbajtje pa leje.

Gjykata e Apelit, më 3 korrik 2018, kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve si të bazuara dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim, për shkak të shkeljeve esenciale të procedurës penale dhe vërtetimit jo të plotë të gjendjes faktike.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Pejës, Durim Lushaj akuzohet se me 25 gusht 2016, rreth orës 18:30, në fshatin Shaptej të Komunës së Deçanit, pas një mosmarrëveshjeje paraprake, me armë zjarri ka privuar nga jeta Rexhep Ramajn.

Sipas aktakuzës, i njëjti pasi kishte privuar nga jeta Rexhep Ramajn, bashkë me Sali Lushajn akuzohet edhe për vrasjen e Burim Ramajt, po ashtu me armë zjarri.

Sipas aktakuzës, ata me këto veprime kanë vënë në rrezik edhe jetën e të miturit A.R dhe Gani Ramajt e Mustafë Ramajt.

Që të dy akuzohen nga prokuroria për kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë dhe veprës penale të armëmbajtjes pa leje.

Të ngjashme