Yagcilar: Jemi në fazën finale të hartimit të projektligjeve kryesore për reformën e administratës publike

Prishtinë | 27 Qer 2018 | 11:47 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka mbajtur tryezën “Sfidat në Reformën e Administratës Publike: Ku qëndron Kosova?”, në të cilën u diskutua ecuria e zbatimit të Reformës në Administratën Publike dhe identifikimi i arritjeve institucionale, dështimet, dhe sfidat e hasura gjatë këtyre viteve.

GLPS-ja ka prezantuar të gjeturat dhe rekomandimet e analizës së politikave me titullin: “Sistemi i politikëbërjes në Kosovë: Një pikëpamje mbi sfidat sistematike dhe drejtimet potenciale të reformës”.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, ka folur për digjitalizimin e shërbimit të administratës publike, projektligjet dhe punën e Ministrisë së Administratës Publike, raporton Ekonomia Online.

“Pas një pune intenzive, ne tashmë jemi në fazën finale në hartimin e projektligjeve kryesore të reformës së administratës publike, përkatësisht të Projektligjit të administratës shtetërore, Projektligjit për zyrtarin publik dhe Projektligjit për pagat përfituese nga buxheti i Republikës së Kosovës”.

“Përmes këtyre 3 projektligjeve ndërtohet një bazë legjislative për aspiratat tona për një shtet modern e evropian, për zhvillimin e një mjedisi të përshtatshëm dhe integrimin evropian dhe ligjet tashmë janë në fazën përfundimtare të procedimeve publike dhe ne si ministri po startojmë një fushatë të gjerë të informimit dhe gjithëpërfshirjes së institucioneve të ndryshme dhe shoqërisë civile në procesin e vendimmarrjes”, tha Yagcilar.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është duke u marrë me prioritete në çështjen e zvogëlimit të agjencive të pavarura duke përfshirë edhe në kontratën për mbështetjen zyrtare nga ana e Komisionit Evropian dhe tash jemi në fazën e hartimit të plan veprimit të zbatimit të rishikimit të agjensionit”, tha Yagcilar.

Zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, tha se duhet më shumë punë në ndërtimin e kompetencave të institucioneve dhe pastaj të mendohet rreth planifikimit më të gjatë të menaxhimit objektiv.

Ai shtoi se nuk ka ligj që shkon në Kuvend dhe nuk e merr një vlerësim buxhetor, raporton EO.

“Ministria e Financave është e para sivjet që e ka bërë një bashkëpunim me USAID-in për të bërë vlerësimin e ligjit të TVSh-së dhe zbatimin e MSA-së, në vlerësimin që e kemi bërë për TVSh-në kemi ardhur në përfundim që me ndryshime ligjore buxheti ka përfituar rreth 50 milionë euro dhe siç është thënë ngritja e çmimit nuk ka ndodhur, është konstatuar edhe me MSA-në dhe do të shohim për çdo vjet se MSA-ja çfarë ndikimi ka në buxhet”, tha Gashi.

Ndërsa Albana Rexha, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, tha se reformimi i administratës publike është parakusht për implementimin e suksesshëm për politika të ndryshme.

“Në vitin 2017 ekzistojnë 60 strategji sektoriale. Ky numër ka qenë edhe më i madh në vitet e kaluara dhe të gjitha këto janë në linjë me prioritetet qeveritare dhe jo të gjitha janë të buxhetuara”, tha Rexha.

“Në bazë të të gjeturave te strategjitë sektoriale që i përkasin Ministrisë së Arsimit, kemi mësuar se shumë nga objektivat e strategjive të ndryshme ndeshen mes vete dhe disa prej objektivave nuk janë të orientuara në rezultate dhe dy nga to nuk janë të buxhetuara dhe këtu reflekton një mungesë e koordinimit me institucionet shtetërore dhe ministritë tjera”, tha Rexha.

 

Të ngjashme