Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Podujevës, Naim Fetahu, ka hapur zyrtarisht fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 29 nëntorit.
Në prezencë të kryetarit në detyrë të PDK-së, Enver Hoxhaj, Fetahu ka thënë se ndryshimi i vetëm i vërtetë për Podujevën është PDK-ja, raporton Ekonomia Online.
“Mjaftë më me të njëjtit njerëz të cilët qeverisin qe 20 vjet në Podujevë. Të dy kundërkandidatët e mi kanë udhëhequr me qytetin tonë dhe shikojeni rezultatin. Prandaj, ndryshimi i vërtetë jemi vetëm ne”, ka thënë Fetahu.
Më tutje, Naim Fetahu ka denoncuar keqqeverisjen 20 vjeçare të LDK-së në këtë komunë, duke përmendur disa nga problemet kryesore. “Qe 20 vjet nuk kemi spital, nuk kemi shërbime të denja shëndetësore, nuk kemi shkolla moderne dhe biznese të cilat çdo ditë e më shumë po largohen nga qyteti ynë. Të rinjtë janë të paperspektivë e të moshuarit të pashpresë. Kjo duhet të ndryshoj tani, sot dhe të mos rikthehet asnjëherë më”, ka thënë Fetahu.
Ai ka premtuar se qysh në mandatin e parë si kryetar i Podujevës do t’u jap përgjigje shqetësimeve kryesore të qytetarëve.
“Ne kemi dhënë shembull si duhet të udhëhiqet shëndetësia dhe këtë model do ta sjellim urgjentisht në Podujevë për të ndihmuar banorët tonë të tejkalojnë sfidën me Covid-19. Podujevën do ta bëjmë me spital modern ku të gjithë qytetarët do të marrin shërbimet të cilat kanë nevojë”.
“Bizneset dhe sipërmarrësit do t’i kthejmë në aleatët kryesorë në rindërtimin dhe rilindjen e qytetit tonë. Për të rinjtë, vende të reja puna ndërsa për të moshuarit kujdes të shtuar. Gratë, me të cilat do të bashkëudhëheqim komunën, do të kenë vendin e tyre të garantuar dhe të merituar në komunën tonë”, ka thënë Fetahu.
Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se Podujeva ka shansin e artë që të bëjë ndryshimin në të mirë të qytetit të tyre me Naim Fetahun kryetar, raporton EO.
“Naim Fetahu është një person që është dëshmuar para, gjatë dhe pas luftës në Podujevë. Ai është ndryshimi i vërtetë për Podujevën. Naimi ka mbështetjen e plotë të qendrës që Podujevën ta shndërroj në një qytet zhvillimor që kujdeset për të gjitha kategoritë e shoqërisë”.
“Prandaj, me 29 nëntor, votojeni Naim Fetahun. Votojeni Partinë Demokratike të Kosovës si zgjidhjen më të mirë për Podujevën”, ka thënë Hoxhaj.