Napoli shpartallon Juventusin, shkëlqen Rrahmani

Prishtinë | 13 Jan 2023 | 23:19 | Nga Ekonomia Online

Napoli ka shpartalluar Juventus-in në ndeshjen e javës së 18 të Serie A me shifrat 5-1. Njëri prej golave të napolitanëve u realizua nga mbrojtësi dardan, Amir Rrahmani.

Në sfidën e zhvilluar në “Diego Armando Maradona”, skuadra e Luciano Spalletti-t tregoi edhe një herë se jo rastësisht është në vendin e parë në Serie A.

Juventusi ka pësuar pesë gola në një ndeshje të Serie A për herë të parë që nga 30 maji 1993 (1-5 kundër Pescara). Për më tepër, Napoli ka shënuar pesë gola kundër “Bianconerëve” për herë të dytë në historinë e tyre në kompeticion, pas 20 nëntorit 1988.

Goli i parë i takimit u shënua nga sulmuesi, Victor Osimhen në minutën e 14. 25 minuta më vonë, nigeriani do të ishte njeriu asist në golin e Khvicha Kvaratskhelia.

Juventus do të ngushtonte diferencat në minutën e 42 me golin e Angel di Maria-s.

Në pjesën e dytë dominimi i Napoli-t do të ishte më i dukshëm. Rrahmani gjeti rrjetën në minutën e 55, duke i çuar shifrat në 3-1.

10 minua pas golit të kapitenit të Kombetarës së Kosovës, Osimhen do të realizonte golin e dytë personal dhe të katërtin për vendasit. Goli që do të vuloste gjithçka do të shënohej në minutën e 72 nga maqedonasi, Eljif Elmas.

Me fitoren e arritur, Napoli kryesues kalon në 10 pikë diferencë nga Juventus dhe Milan, që kanë nga 37 pikë. Me kuqezinjtë që kanë një ndeshje me pak.

Të ngjashme