“Ndërgjegjja e trefishtë”

Prishtinë | 25 Mar 2022 | 11:49 | Nga Altin N. Ademi

Nuk është e lehtë të përcaktohet se çfarë përbën një koncept si “ndërgjegjja” dhe as nuk është qëllim i këtij shkrimi një përpjekje e tillë. Por për ta shtruar temën që synohet, nuk mund të mos aludojmë në “diçka” që e përbën atë. Mbase më së afërmi, ndërgjegjen mund ta identifikojmë si diçka që na bën të kuptojmë anët e mira apo jo të mira të një akti, veprimi a procesi, duke u nisur nga vetëdija jonë mbi atë se çfarë është e drejtë dhe e gabuar. E drejta dhe e gabuara kanë po ashtu një burim të caktuar prej nga rrjedhin e mbi të cilin definohet ndërgjegjja, themeli i të cilës mund të jetë besimi, arsyeja apo personaliteti vetë perceptues.

Por pavarësisht se prej nga rrjedh ky themel, gjithsecili prej nesh, kur e vëmë në diskutim konceptin e ndërgjegjes, zakonisht i referohemi dy gjërave themelore. Së pari, emocioneve që bazohen në një vlerësim shqisor ndaj një rrethane, siç është për shembull gjykimi i një akti dhune ndaj një fëmije, pasi që emocionalisht s’mund ta durojmë dhunën ndaj një fëmijë, gjë që përbën anën e filozofisë morale. Së dyti, vetë akti i gjykimit, si një vlerësim racional që provon se ne kemi shqisa dhe ndjenja të cilat i konstruktojmë për t’iu dhënë kuptim në një drejtim të caktuar, siç është fakti se ne mendojmë për dhunën si diçka të dëmshme ndaj një fëmije.

Megjithëse themeli i ndërgjegjes mund të ketë burim në besimin fetar, arsyen apo vetë perceptimin personal, të gjitha së bashku e shtrojnë atë si një përgjigje të brendshme reaguese ndaj ballafaqimit me atë që brenda atyre themeleve perceptohet si e drejtë apo e padrejtë.

Qasja e botëkuptimit fetar që ka për themel shpalljet Hyjnore, ndërgjegjen e sheh si një gjuhë apo mjet e cila na sinjalizon kur përmes një veprimi a procesi, ne bëjmë diçka jashtë asaj çfarë mësimet Hyjnore na ftojnë të bëjmë. Kjo më së miri manifestohet përmes ndjenjës së fajit. Pra, ndërgjegjja në këtë rast është pranim i vullnetit të Zotit dhe rrugë që shënon kur njeriu shkel jashtë vullnetit të Zotit e në kundërshtim me të. Në këtë kuadër, njeriu ka qëndrim universal ndaj njeriut tjetër, duke e shënuar vijën e relacionit ndaj tij mbi formulën që Zoti iu ka dhënë njerëzve rreth të cilës ndërtohen marrëdhëniet. Kjo formulë ka një premisë: trajtoj të tjerët siç Zoti të mëson t’i trajtosh ata.

Qasja e botëkuptimit shekullar që ka për themel arsyen, ndërgjegjen e sheh si një lloj intervenimi të brendshëm emocional ndaj rrethanave reale që mund të shpjegohen racionalisht si veprime dhe qëllime njerëzore. Pra, ndërgjegjja në këtë rast është një kusht i domosdoshëm që mundëson lidhjen e njerëzve dhe formimin e bashkësive të tyre, sepse pa një kusht të tillë, njeriu do të kishte ekzistuar në një gjendje të thellë egoizmi. Por krahas kësaj ane thellësisht pozitive, tek ky burim ndërgjegjësimi ka edhe një anë tjetër. Në rrethanat ku këto marrëdhënie ndërtohen në mes njerëzve mbi kushtin e kësaj lloj ndërgjegje, ekzistojnë dy rrathë esencial, rrethi i brendshëm i të afërmeve që janë të mishëruar me ndërgjegjen dhe rrethi i jashtëm i të tjerëve që s’kanë atë lloj ndërgjegjësimi, të cilët në shumicën e rasteve konceptohen edhe si armiq. Nacionalizmi, dhuna mbi baza etnike, racizmi dhe diskriminimi bazohen në këtë ndarje rrethore. Formula e kësaj ndërgjegje bazohet në premisën: bëj çfarë është e drejtë për ty dhe rrethin tënd, pavarësisht se çfarë do të thotë kjo për të tjerët jashtë atij rrethi.
Qasja e botëkuptimit të vetë perceptimit personal mbi ndërgjegjen, qëndron në një premisë tjetër shumë të thjeshtë: bëj atë çfarë e gjykon si të drejtë, pavarësisht se çfarë bëjnë të tjerët, sepse ti ke përgjegjësi për atë çfarë bën, pavarësisht se si përgjigjen të tjerët ndaj asaj çfarë bën.

Që të tria këto lloje ndërgjegjjesh, ndonëse dallojnë për nga burimi, kanë edhe pikëtakime universale. Një prej këtyre pikëtakimeve është për shembull trajtimi i kafshëve, si qenie ndaj të cilave duhet të ketë një lloj përgjegjësie, qoftë duke i parë ato si të varura nga kujdesi i njeriut, qoftë duke i parë ato si gjallesa që kanë habitatin e tyre të ndryshëm nga njeriu, brenda të cilit habitat ato rrjedhimisht, kanë disa të “drejta” mbi të cilat njeriu nuk mund të shkelë dot.

Në kohën tonë, përveç burimit të ndërgjegjes si kategori ekzistojnë edhe pikëpamje shoqërore që shpjegohen përmes ndërgjegjes. Në këtë kuadër, mund të thuhet se ka ndërgjegje personale, ndërgjegje kolektive dhe ndërgjegje universale. Në rrafshin e ndërgjegjes personale, dominon përmbajtja dhe reagimi. Në rrafshin e ndërgjegjes kolektive, dominon kooperimi dhe dallimi. Në rrafshin e ndërgjegjes universale, dominon komunikimi, si mjet që thyen barrierat kulturore, etnike e gjeografike.

Është krejt e natyrshme që secili individ të jetë i pajisur me një lloj ndërgjegje, pavarësisht se ku buron vetëdija që përcakton atë. Në Kosovë, ndërgjegjja është një mjet i zakonshëm i referimit. “S’më la ndërgjegjja”, “Më vrau ndërgjegjja” “Skish ndërgjegje” etj, janë vetëm disa nga fjalët e zakonshme që dëgjohen kur i referohemi akteve e rrethanave të kooperimit social.

Ky familjarizim me ndërgjegjen është i shprehur jo vetëm në kooperim por edhe në politikë. Politikanët pretendojnë shpesh të na bindin se kanë ndërgjegje dhe se marrin vendime politike duke ndjekur ndërgjegjen e tyre. Të tillë i gjen edhe në mesin e atyre që vendosin rregulla e ligje në parlament. Madje, një votë e ndërgjegjes në parlament, do të duhej të kuptohej si akt jashtëzakonisht i lartë i emancipimit. Por çfarë megjithatë karakterizon këtë përpjekje ndërgjegjësuese të politikanëve kosovarë, nuk është mungesa e ndërgjegjes. Është e kundërta. Ndërgjegjja e trefishtë.

Ata dinë të flasin me ndërgjegje duke marrë për bazë besimin e tyre, përmes së cilit artikulojnë qëndrime politike për një çështje. Është shumë e çuditshme se si pikërisht të njëjtit, brenda të njëjtës sallë e seancë, i gjen duke artikuluar qëndrime politike për një çështje tjetër, veçse kësaj here jo më me ndërgjegjen e bazuar në besim, por në arsye apo në personalitetin e tyre të vetëshpallur.

Kriteri i vetëm i matjes së cila ndërgjegje dominon në cilin rast, është pa asnjë dyshim kalkulimi i votave. Situata të tilla ka pasur shpesh e së fundmi edhe në rastin e trajtimit të Kodit Civil, i cili iu nënshtrua garës konkurruese të kësaj lufte ndërgjegjjesh. Epilogu i atij votimi, nuk u ndërlidh fare me kodifikimin e të drejtës por me ndërgjegjen dominuese pse ai bën apo nuk bën të miratohet.

Në këtë pikë, është tërësisht i parëndësishëm fakti pse një kodifikim i të drejtës civile nuk është miratuar, gjë që mund të bëhet më vonë apo edhe mos të bëhet kurrë. Por, ajo çfarë është e rëndësishme në këtë rast, është të kuptuarit e mënyrës se si politikanët i qasen interpretimit të çështjeve akulturore nga një perspektivë thellësisht kulturore, brenda një shteti që është i ngritur jashtë këtyre parametrave. Trajtimi i çështjeve shtetërore nga perspektiva kulturore, ose duhet ta rikthej nevojën për ta mveshur shtetin me atë perspektivë, ose do ta lë shtetin e ngritur- një ngrehinë që mund të shembet lehtë, kurdo që disa politikanë vlerësojnë në ndërgjegjen e tyre të trefishtë se këtë ua dikton ndërgjegjja.

Kjo betejë ndërgjegjësimi megjithatë, ka rëndësi kapitale. Ajo nuk mund të përfundojë vetëm rreth një kodi civil. Po të isha unë njëri prej “politikanëve të ndërgjegjësuar”, do ta vazhdoja këtë betejë në të gjitha drejtimet që më dikton ndërgjegjja, sepse drejtime të tilla ka shumë e probleme që duhet “zgjidhur” në mënyrë të ndërgjegjshme ka shumë. Por natyrisht, një gjë e tillë nuk është e pritshme nga politikanët që para se të përfaqësojnë ndërgjegjen e tyre të vërtetë, përfaqësojnë kalkulatorin e votave që mbajnë në dorë.

Produkt i ndërgjegjes së trefishtë të tyre, është robëria pas kalkulatorit. Në fakt, produkt i ndërgjegjes së tyre të vërtetë, do të duhej të ishte çlirimi nga kalkulatori dhe realizimi i asaj çfarë ata e besojnë vërtetë si të drejtë e të nevojshme për ta, për fëmijët e tyre dhe për të ardhmen e gjithsecilit qytetar të Kosovës.

Të ngjashme