Në bordin e “Ibër-Lepencit” u përzgjodhën persona që nuk kishin kaluar te Ambasada Britanike

Prishtinë | 05 Maj 2022 | 09:38 | Nga Ekonomia Online

Prezenca e ekspertëve të Ambasadës Britanike në përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve të Ndërmarrjeve Publike dhe kryesuesve të tyre, në Kosovë, po del të jetë vetëm sa për sy e faqe.

Rekomandimet e tyre nuk po merren parasysh as kur në krye të qeverisë është Albin Kurti, sa i përket përzgjedhjes së bordeve të këtyre ndërmarrjeve.

Këtë të shtunë qeveria e drejtuar nga, Kurti, bëri përzgjedhjen e anëtareve të Bordit të Ndërmarrjes Hidro Ekonomike “Ibër – Lepenc”, por kjo zgjedhje nuk përkon me personat e rekomanduar nga ekspertët e Ambasadës Britanike.

E gjithë kjo duke filluar nga kryesuesi i bordit e deri te anëtarët e bordit të kësaj ndërmarrjeje, zgjedhje emrash të cilët nuk kanë as edhe një përputhshmëri mes poentimit të Ambasadës Britanike dhe të përzgjedhurve nga ana e Qeverisë.

Të shtunën Gazeta Infokus ka raportuar se Qeveria Kurti bëri një përzgjedhje e cila bie ndesh me vlerësimin e ekspertëve të Ambasadës Britanike.

Ani pse Bajram Mustafa, del të jetë kandidati më pak i vlerësuar nga Ambasada Britanike në Prishtinë, kjo nuk i ka penguar qeverisë që ta zgjedhë atë për kryesues të bordit në këtë ndërmarrje.

Britanikët, Mustafën e kishin renditur si të 10-in në listë, duke e vlerësuar me vetëm 18.5 pikë, ndërsa 9 kandidatët e tjerë që u anashkaluan nga qeveria, kishin marrë nga 19 deri në 23 pikë nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë.

Ndërkaq edhe pse i 11 në listën e britanikëve me 18.5 pikë, Avdullah Nishori, zgjidhet për të qenë anëtar i Bordit të Ndërmarrjes Publike ‘Ibër Lepenc”.

Por në këtë përzgjedhje po del se ka edhe “shkelje” të tjera, shkruan Gazeta Infokus.

Valmira Latifi, nuk figuron fare në listën për Kandidatët që mund të emërohen e përpiluar nga ekspertët e ambasadës britanike por gjithsesi ajo është përzgjedhur nga qeveria e Kosovës për anëtare të bordit të “Ibër Lepencit”.

Latifi figuron në mes të listës së vendimin e qeverisë ani pse nga ekspertët e ambasadës së Britanisë Madhe ajo nuk ka marr vlerësime pozitive për të qenë pjesë e drejtimit të kësaj ndërmarrje publike.

Kujtojmë edhe një herë që të shtunën Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ka emëruar Bordin e Ndërmarrjes Publike ‘Ibër Lepenc”, ku për kryesues të këtij bordi zgjodhi Bajram Mustafën, ndërsa si anëtar janë emëruar Violeta Hoxha, Denis Dautaj, Valmire Latifi, Avdullah Nishori dhe Myzafer Luma.

Përderisa ekspertët e Ambasadës së Britanisë së Madhe kishin rekomanduar në listën e kandidatëve që mund të emëroheshin sipas pikëve të marra këta emra: Dautaj, Shaqir Rexhepi, Remzi Selimi, Fidaim Jashari, Violeta Hoxha, Valon Jahaj, Saxhide Mustafa, Mumin Morina, Arbresha Dina, Bajram Mustafa, Avdullah Nishori, Zijadin Lutolli, Muzafer Luma.

Kështu del se qeveria e ka shpërfillur këtë përzgjedhje. /Infokus/

Të ngjashme