Në Ferizaj themelohet qendra për Zhvillimin Rajonal

Prishtinë | 24 Qer 2026 | 14:40 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se është themeluar Qendra për Zhvillim Rajonal për Rajonin e Ferizajt.

Sipas Aliut, në këtë aktivitet morën pjesë zëvendësministri i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Ali Dula, zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Arton Konushevci, si dhe kryetarë, nënkryetarë komunash dhe drejtorë të drejtorive për zhvillim ekonomik dhe turizëm nga komunat e Rajonit të Ferizajt.

“Në Ferizaj u themelua Qendra për Zhvillim Rajonal ku përfshihen komunat e Rajonit të Ferizajt me prioritet projektet zhvillimore e strategjike për Rajonin 05”, ka shkruar Aliu.

Ai theksoi se Qendra për Zhvillim Rajonal do të shërbejë si mekanizëm institucional për bashkërendimin e projekteve zhvillimore, aktiviteteve dhe punëve publike, si dhe për koordinimin e investimeve strategjike në komunat e Rajonit të Ferizajt.

Aliu shtoi tutje se themelimi i kësaj qendre synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet komunave të rajonit dhe të krijojë mundësi të reja për zhvillim ekonomik dhe realizimin e projekteve me interes të përbashkët.

Të ngjashme