Në Kosovë dhe në Shqipëri dominojnë investimet e huaja në patundshmëri

Prishtinë | 28 Dhj 2021 | 14:44 | Nga Ekonomia Online

Me gjithë rëndësinë dhe vlerën që e kanë për mirëqenien dhe zbutjen e ç’ekuilibrimit social remitencat e rritura ndjeshëm dhe mbajtjen e gjendjes disi stabile, sidomos të tregut të ndërtimeve dhe të paluajtshmërive të tjera që e kanë investimet e lartësuara të huaja direkte (dominojnë absolutisht investimet e huaja në paluajtshmëri), këto para, qofshin edhe të rritura, nuk kanë shumë dorë, pra nuk ndikojnë efektshëm në zhvillimin ekonomik të gjithmbarshëm të Kosovës.

Rritja e madhe e remitencave sivjet në Kosovë (deri në fund të tetorit – 956 miliardë euro, sipas të dhënave të BQK-së), dhe rritja e investimet të huaja direkte (IHD), janë të mirëseardhura dhe ndihmesë goxha imponuese për Kosovën e varfër. Pa tendencë qër t’ua ulur në asnjë mënyrë rëndësinë dhe vlerën që e kanë për mirëqenien dhe zbutjen e ç’ekuilibrimit social remitencat e rritura ndjeshëm dhe mbajtjen e gjendjes disi stabile, sidomos të tregut të ndërtimeve dhe të paluajtshmërive të tjera që e kanë investimet e lartësuara të huaja direkte (dominojnë absolutisht investimet e huaja në paluajshmëri), këto para, qofshin edhe të rritura kështu si janë, nuk kanë shumë dorë, pra nuk ndikojnë efektshëm në zhvillimin ekonomik të gjithmbarshëm të Kosovës, në rritjen e vendeve të punës dhe në proceset e tjera aq të nevojshme për Kosovën.

Në një farë mënyrë ngjashëm tek IHD-të është gjendja edhe në Shqipëri, gjegjësisht ndryshojnë vetëm shifrat e këtyre investimeve, të cilat tek shqiptarët janë gati dyfish më të mëdha. Në 9-mujorin e këtij viti, Shqipëria tërhoqi gjithsej 711 milionë euro investime të huaja direkte, ose rritje me 1.1% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë.

Çka thonë statistikat?

Sipas vlerësimeve dhe përllogaritjeve të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), vlera e investimeve të huaja direkte vetëm deri në muajin shtator 2021, kishte arritur në 389 milionë euro, që janë goxha më shumë në krahasim me 254 milionë euro të regjistruar vitin e kaluar, pra deri në shtator 2020. Kjo, sipas zyrtarëve të Kosovës është vlera më e lartë e investimeve në raport me mesataren e deritashme.

Nga viti 2010 deri në vitin 2020, mesatarja e investimeve të huaja direkte për 6-mujorët e parë të viteve është 121.9 milionë euro, ndërsa në 6 muajt e parë të vitit 2021 janë 230.1 milionë euro, apo 89% ngritje krahasuar me mesataren e deritanishme. I bie që gjatë vitit aktual ka 33% më shumë investime se viti i kaluar, ose 109% më shumë se në vitin 2019.

Këto shifra domosdo janë imponuese, por struktura e këtyre investimeve fletë se ato janë goxha specifike dhe kanë ndikim më shumë në tregun e ndërtimeve dhe pak a shumë në atë të paluajtshmërive të tjera.

Gjatë kësaj periudhe, në Kosovë, rritjen më të lartë kishin shënuar IHD-të tek investimet në patundshmëri, të cilat arritën në 265 milionë euro (gjithsej investimet e huaja në periudhën janar-shtator-389 milionë euro), dhe që është më shumë se dyfishi në krahasim me 129 milionë euro të regjistruar si IHD në paluajtshmëri deri në fund të shtatorit 2020. Shprehur në përqindje, i bie kishte një rritje prej 106 për qind. Ndërkohë, investimet në sektorin e shërbimeve financiare, qëndruan në rreth 87 milionë euro, në krahasim me vlerën prej rreth 67 milionë euro të regjistruar gjatë periudhës së njëjtë të vitit të kaluar.

Pasuritë e paluajtshme kanë udhëhequr rritjen e investimeve të huaja direkte në tremujorin e tretë të vitit edhe në Shqipëri. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se ky sektor solli fluksin më të madh të investimeve të huaja, me 61 milionë euro, 154% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për 9-mujorin, investimet në këtë sektor kanë arritur vlerën e 141 milionë eurove, një rritje vjetore me 171%. Deri tani, pasuritë e paluajtshme janë këtë vit sektori i dytë për nga pesha e investimeve të huaja direkte, pas industrisë nxjerrëse. Në Shqipëri, si duket, rritja e çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme duket se po tërheq jo vetëm investimet vendase, por edhe kapitalet e shtetasve të huaj. Shifrat tregojnë se investimet e huaja në sektorin e pasurive të paluajtshme kanë arritur nivelet më të larta historike, të paktën që prej vitit 2014, kur nis seria kohore e Bankës së Shqipërisë për këtë tregues.

Ndërkohë, në Kosovë, sipas të dhënave të bëra publike nga institucionet kompetente, duket se në këtë vit pati fare pak, ose thuaja zero investime të huaja në industrinë përpunuese. Ndërkohë që në Shqipëri, tremujori i tretë solli një frenim të investimeve të huaja në industrinë përpunuese, dhe ato ranë në 28 milionë euro, nga 32 milionë euro që kishin qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ku po investohen remitancat?

Nga të dhënat e institucioneve të pavarura kompetente për vëzhgimin dhe përcjelljen e ecurive financiare në vend, shihet se remitencat kanë prekur lartësitë e grafikoneve, dhe duke krahasuar ato ndër vite, dalin të jenë rekorde. Për prurjet e pandalura financiare të diasporës kosovare flasin edhe të dhënat e Bankës Botërore. Sipas këtyre të dhënave në vitet pas pavarësisë, në Kosovë si remitenca janë dërguar 12.6 miliardë euro. Kjo është para e madhe. Është e vërtetë, se prurjet e financiare të diasporës kanë pasur ndikim të padiskutueshëm në mirëqenien e shumë e shumë kosovarëve, të rritjes së standardit të tyre dhe të zbutjes së gjendjes së rënduar sociale tek shumë e shumë të tjerë.

Edhe sivjet shtuan shpresat se do të arrihet të zbuten dhe pak a shumë të kompenzohet dëmet dhe humbjet e shkaktuara nga pasojat e pandemisë dhe masat kufizuese detyrimisht të ndërmarra për ta penguar përhapjen e CoVID 19. Por, këto efekte, nuk kanë qenë më shumë se kaq. Gjithë këto mjete financiare nuk kanë pasur efektshmërinë evidente në zhvillimin ekonomik, në ndërtimin e më shumë kapaciteteve industriale dhe përpunuese, që do të gjeneronin domosdo vende të reja pune dhe të mira të tjera zhvillimore. Këto janë fakte. Buletini Ekonomik në disa raste ka njoftuar për gatishmërinë e vendosmërinë e bashkëatdhetarëve tanë që u treguan të vendosur dhe të gatshëm për ta ndihmuar vendin. Mirëpo, të gatshëm dhe me vullnet edhe politik duhet të tregohet edhe shteti i Kosovës, institucionet dhe autoritetet e tij për t’i trajtuar siç e meritojnë këto para. Kjo nënkupton që t’u ofrohen më shumë projekte joshëse dhe perspektive mërgatës sonë për ta investuar paranë e tyre, të aplikohen të gjitha lehtësirat e mundshme për t’i investuar një pjesë të mirë të remitancave në kapacitete të efektshme dhe rezultative ekonomike.

Dhe duhet të ndryshojë qasja institucionale e shprehjes së joshjes së diasporës për të investuar realisht në ndonjë kapacitet prodhues industrial apo bujqësor në vendlindje. Kjo nënkupton që në asnjë mënyrë mos të lihen jashtë rrjedhave të zhvillimeve ekonomike e shoqërore, të mos ketë anashkalime të bisnesmenëve nga diapora, qoftë në procesin e privatizimit të Kosovës, qoftë në procesin e tenderimit të punëve të ndryshme, në procesin e prodhimit dhe në kryerjen e shërbimeve, për çka kompanitë e ndryshme të diasporës sonë po vlerësohen tashmë si shumë kompetente dhe profesioniste në vendet ku po afarojnë me bisneset e tyre. Për secilin vizion a plan konkret për kapacitete të reja prodhuese e të shërbimeve, paraprakisht duhet të njoftohet deri në detaje diaspora jonë. Dhe të vlerësohen si të barabartë në garën eventuale konkurruese. Në këtë kontekst, të studiohen përvojat e mira të vendeve me diasporë të madhe numerikisht dhe pse jo, të mësohet nga këto përvoja.

Ndryshe, remitencat do të investohen sikundër deri më tash në konsumin familjar dhe në përmirësimin e gjendjes sociale të familjeve kosovare dhe pa efekte të tjera të gjithë kësaj paraje. Dhe, ku po angazhohet paraja e investimeve direkte të huaja në vendin tonë? Pak a shumë, thuaje se identike është situata edhe me investimet e huaja. Këtë fakt e dëshmojnë të dhënat statistikore, sipas të cilave në investimet direkte të huaja dominojnë ndjeshëm investimet në paluajtshmëri (shi të dhënat statistikore për këtë dukuri në fillim të tekstit). Kjo nënkupton se shumë para- investime të huaja angazhohen në blerjen e banesave, shtëpive dhe të tokave të ndryshme. Dhe kjo strukturë investimesh në një farë mënyrë është e paefektshme, ose në rastin më të mirë me efekte goxha margjinale në ndikimin e proceseve zhvillimore në vend. Më këtë strukturë investimesh të jashtme vështirë qarkullohet dhe gjenerohet kapitali, që përkthehet se me kapital pak a shumë ‘të vdekur” vështirë arrihen rezultate zhvillimore.

Megjithatë, kjo lëvizje së larti e grafikonit të IHD-ve, na bën të shpresojmë, se më në fund, edhe te ne do t’u hapet rruga investimeve të jashtme, do t’i hapet rruga kapitalit të huaj, ndërtimit të projekteve të reja, që do kishin ndikim të madh dhe do të nxitnin zhvillimin e gjithëmbarshëm te ne, e veçmas zhvillimin ekonomik, të munguar deri tash. Sepse, siç dëshmojnë të dhënat, me vite Kosova ka dështuar në thithjen e investimeve të jashtme, ndërkohë që në vitet e fundit nuk ia doli që ta sjellë këtu asnjë investitor të madh strategjik, asnjë projekt madhor të tyre.

Prandaj, qeveria aktuale duhet të jetë shumë më këmbëngulëse të vazhdojë për t’u ofruar masa edhe më lehtësuese investitorëve të interesuar. Institucionet duhet të fokusohen në tërheqjen e investimeve në sektorët strategjikë siç janë prodhimi, teknologjia e informacioni, energjetika e pastaj përpunimi. Të kërkojë investitorët e jashtëm që ishin këtu dhe u dëbuan për shkaqe të njohura dhe të panjohura, tu ofrojë atyre mundësi të reja, projekte atraktive për t’u kthyer këtu. Ndërsa mundësi të reja duhet të ishin sundimi i ligjit, promovimi i vlerave dhe politikave atraktive për investitorët e huaj, luftimi i njëmendtë i korrupsionit dhe ekonomisë së fshehtë dhe rikthimi i imazhit të mirë të Kosovës në botë. Ndryshe, do të vazhdohet që IHD-të të orientohen me shumicë në banesa dhe eventualisht në ndonjë paluajtshmëri tjetër. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme