Në Mitrovicë, vazhdojnë aktivitetet për shënimin e Ditës së Tokës

Mitrovicë | 25 Pri 2017 | 11:53 | Nga

Organizata Jo-Qeveritare Green Art Center – Prishtina (GAC), në partneritet me Komunën e Mitrovicës dhe organizatën gjermane Giz-SMS Projekt, kanë zhvilluar aktivitete të ndryshme për shënimin e Ditës së Tokës.

Këto aktivitete vetëdijesuese po zhvillohen në kuadër të projektit “Ecofriend-Funksionalizimi i sistemit të ndarjes së mbeturinave të riciklueshme përmes zhvillimit të programit për edukim mjedisor në institucionet arsimore”, me synim rritjen e ndërgjegjësimit qytetar në mbrojtjen e mjedisit jetik.

Aktivitetet për shënimin e Ditës së Tokës nën moton “Çdo ditë është Dita e Tokës”, kanë nisur më 22 prill, ndërsa do të percillen me aktivitete gjatë gjithë kësaj jave, ku hapësirat shkollore do të pasurohen me drunjë dhe fidane me qëllim përmirësimin e hapësirave të gjelbëra në këto institucione dhe edukimin e të rinjve mbi rëndësinë e ruajtjes së gjelbërimit. Falë përkrahjes së organizatës gjermane GIZ dhe angazhimit të komunës së Mitrovicës, rreth 50 drunjë dhe 200 fidane do të mbillen në 15 institucione edukative. Të gjithë këta drunjë dhe këto fidane do të mbillen në bashkëpunim me anëtarët e Klubeve të Gjelbëra të GAC-it, të cilët janë aktiv dhe funksionojnë në secilën shkollë.

Përmes aktiviteteve të gjelbëra gjithëpërfshirëse synohet krijimi i një kulture mjedisore tek gjeneratat e reja, të cilët tashmë në këtë komunë janë edhe përfaqësuesit e parë që kanë nisur programin e ndarjes së mbeturinave të riciklueshme në hapësirat shkollore.

Në javët në vijim parashihen të zhvillohen edhe aktivitete të tjera që adresojnë ruajtjen e mjedisit përmes aktivizimit qytetar.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme