Në Shqipëri arrijnë 60 mijë doza të vaksinës kineze

Prishtinë | 23 Maj 2021 | 15:32 | Nga Ekonomia Online

60 mijë doza të tjera të vaksinës Sinovac kanë mbërritur në Shqipëri këtë të diel. Për ta pritur ngarkesën në aeroportin “Nënë Tereza” më Rinas ishte ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

“Sapo kanë mbërritur 60 mijë vaksina të cilat janë pjesë e kontratës së dytë që qeveria shqiptare ka negociuar me distributorin e autorizuar. Do të përdoren për të gjithë qytetarët që tashmë janë vaksinuar me dozën e parë dhe sipas kalendarit duhet të vijojnë me dozën e dytë”.

Ministrja tha se janë më shumë se 830 mijë doza vaksine që janë administruar në vend. Numri i vaksinimeve ka shkuar në mbi 712 mijë, ndërkohë që Manastirliu deklaroi se mbetet prioritet vaksinimi masiv i popullatës.

Manastirliu tha se objektivi i ri është realizimi i 1 milion vaksinimeve brenda Qershorit dhe kjo do bëhet fale dozave të tjera të vaksinave që do vijnë.

“Duke filluar nga dita e nesërme serish vijnë vaksina, janë 14040 vaksina që vijnë nga kontrata jonë me Pfizer dhe nga kontrata e lidhur me Bashkimin Europian, brenda muajit Maj dhe fillim Qershori presim gjithashtu të vijnë edhe 40 mijë vaksina të AstraZeneca nga instrumenti COVAX dhe do të kemi serish sipas kalendareve të ardhjes së vaksinave llojet të vaksinave”.

Aktualisht në vend po vijon vaksinimi në grupmoshën mbi 60 vjeç, dhe në grupet e riskut.

Sa i përket situatës epidemiologjike ministrja tha se është normalizuar, ndërkohë që shtoi se ditën e nesërme do të vijnë mbi 14 mijë doza vaksine si pasojë e kontratës me Pfizer dhe mekanizmit të shpërndarjes së vaksinave në Ballkan nga ana e Bashkimit Europian. Brenda Qershorit, sipas Manastirliut, do të vijnë rreth 40 mijë doza vaksine./

Të ngjashme