Në shtator pritet të vazhdojë gjykimi për korrupsion ndaj ish-asamblistit të PDK-së

Prishtinë | 28 Gus 2020 | 17:47 | Nga Ekonomia Online

Kanë kaluar më shumë se një vit që kur është mbajtur seanca e fundit për rastin ku, ish-asamblisti në Komunën e Gjakovës, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ilir Beqiri, po akuzohet për mos raportim të pasurisë.

Pas 2 prillit 2019, kur edhe është mbajtur seanca e fundit për këtë rast, ky gjykim pritet të vazhdojë në fund të shtatorit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

E shkak i zvarritjes së këtij gjykimi ka qenë kryesisht kalimi i gjykatësit të këtij rasti, Mentor Bajraktari nga Divizioni Penal i Departamentit të Përgjithshëm në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjakovë.

Rasti në fjalë tani i ka kaluar gjykatësit Drilon Haraçia, i cili seancën lidhur me këtë rast e ka caktuar që të mbahet më 30 shtator të këtij viti.

Ndryshe, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 26 shkurt 2019, i akuzuari Beqir nuk e kishte pranuar fajësinë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 16 mars 2018, Ilir Beqiri po akuzohet se nga 1 marsi e deri më 31 mars 2017, nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, edhe pse e ka ditur se si këshilltar në Asamblenë Komunale në Gjakovë, është i detyruar që konform ligjit, të dhënat e cekura t’i dërgojë në afatin ligjor në Agjencinë Kundër Korrupsion në Prishtinë, por i pandehuri duke mos respektuar ligjin, të dhënat e kërkuara në formular nuk i ka paraqitur saktë duke mos shënuar totalin e saktë e të hyrave vjetore për periudhën kohore nga 1 janari deri më 31 dhjetor të vitit 2016.

Me këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, i dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare” nga neni 437 parag.2 të KPRK-së.

Të ngjashme