Një ikje e planifikuar dhe mbase e koordinuar, bishtin e shohim më vonë!

Prishtinë | 24 Gus 2018 | 14:38 | Nga Behxhet Shala Bajgora

Prokurori i Prokurorisë Speciale , Elez Blakaj , pasi e paska dorëzuar një draft – akuzë  ( sipas interpretimit të Prokurorisë Speciale ) kundër atyre që lejuan fryrjen tejmase të listës së veteranëve të luftës , humbi , u tretë si sh… e pulës për t’u lajmëruar nga Amerika duke kallëzuar për kërcënimet që ishin bërë ndaj tij , që nga veteranët hileqarë , nga anëtarët e komisionit , nga punëdhënësi i tij apo shefi e deri te kryetari i Koresë së Veriut , Putini ,  ai i Filipineve , i Hondurasit e kush jo tjetër. Me këtë e hapi Kutinë e Mihrisë ( Pandorës ) në Kosovë , duke ndarë në dy skaje krejtësisht të kundërta ; nga ata që e konsideronin frikacakë dhe hajn , dezertor dhe matrapaz , joprofesionist dhe protagonist për ta luajtur rolin e luanit i mbështjellur me lëkurë të hienës e deri te ata , që një numër i tyre kishte dëgjuar për të vetëm pasi u lajmërua nga Amerika ku paska shkuar ta realizojë “ ëndrrën amerikane “ dhe të cilët e konsideronin hero të vërtetë , profesionist të jashtëzakonshëm , trim dhe guximtar , sfidues të dallaverxhinjve dhe epitete tjera , të dëgjuara dhe të padëgjuara deri më tani.

Kur po flitet për tash ish- prokurorin Elez Blakaj , më iku mendja te prokurorët dhe gjykatësit italianë që e paguan me jetë guximin dhe profesionalizmin e tyre në luftë kundër së keqes ( mafias italiane ) dhe në shërbim të ligjit si dhe në mbrojtje të qytetarit për çka edhe kishin dhënë betimin. Mund të përmend vetëm disa emra që u bënë të njohur edhe në Kosovë me sakrificën e tyre , Xhovani Falkonen , Paolo Borselinon , Alberto dela Kiezan dhe shumë të tjerë që e sakrifikuan jetën e tyre si dhe të familjes por që kontribuan që t’i thyhen dhëmbët mafias italiane dhe krimit të organizuar në Itali të cilin nuk e çrrënjosën krejt por e shembën bukur shumë. Këta nuk kërkuan nga autoritetet italiane siguri të përjetshme por kërkuan siguri për një kohë të caktuar , për aq kohë sa vlerësuan se mund t’i fusin pykat në trupin , deri atëherë virgjinë të mafias italiane. Që të gjithë këta , së bashku edhe me anëtarë të familjeve të tyre u ekzekutuan nga vrasës të paguar pas një kohe të caktuar mirëpo , as mafia nuk shpëtoi lehtë , shumë krerë të mafias u arrestuan dhe u dënuan me dënime të larta dhe aty u promovua edhe roli i insajderit – pendestarit apo bashkëpunuesit me prokurorinë dhe gjykatën , që e dëmtoi pariparueshën organizimin , deri atëherë të përsosur të mafias dhe e theu kyçjen e gjuhës të njohur si omerta apo Ligji i Heshtjes. Prokurorët dhe gjykatësit e vendosur dhe sakrifikues italianë dërguan prapa grilave shumë mafiozë të mafias politike italiane duke përfshirë edhe ministra sikur që edhe kryeministrin Andreoti e detyruan të kërkojë azil politikë në një shtet afrikanë.

E në Kosovë , si qëndron puna në këtë drejtim ?! Pas përfundimit të luftës , luftimin e krimit të organizuar dhe korrupcionit të nivelit të lartë sikur edhe krimeve të luftës ishte kompetencë ekskluzivisht e ndërkombëtarëve të cilët edhe vet u bënë pjesa më aktive dhe më përfituese e aktiviteteve kriminale duke i përdorur politikanët injorantë kosovarë vetëm si sekserë dhe hyzmeqarë por të cilët shumë shpejt e mësuan dhe përvetësuan “ shkathtësinë “ e hajnisë nga mjeshtrit e zanatit , ndërkombëtarët grabitçarë që kishin mbaruar shkollën  e hajnisë nëpër vendet që kishin dalë nga lufta dhe vatrat tjera të krizës sikur në Kroaci , Bosnje dhe vendet e Afrikës apo Amerikës së Jugut. Sot keni ministra në qeverinë e Kosovës që përparuan me një shpejtësi të jashtëzakonshme , nga sekseri deri te hajni dhe krimineli i rryer , pasi përfunduan trajnimet te ndërkombëtarët . Ndërkombëtarët fillimisht në strukturat e hetuesisë , policisë , prokurorisë dhe gjyqësorit rekrutonin njerëz të dëshmuar dhe të dëgjueshëm apo yes –man dhe të cilët pastaj u miqësuan edhe me politikanët e vendit . Për dallim nga prokurorët dhe gjykatësit italianë të cilët vriteshin sikur që vriteshin anëtarët e familjes , hidhnin bomba mbi ta dhe vendosej ekploziv në veturat dhe shtëpitë e tyre , jua frikësonin dhe rrëmbenin fëmijët por se nuk ligështoheshin para këtyre rreziqeve , prokurorët dhe gjykatësit kosovarë nuk përballeshin me këto rreziqe ( për fat të mirë ) dhe frikën e bartnin për së rëndi. Në një vend ku keni një strukturë të organizuar kriminale e cila është e konsoliduar apo në konsolidim e sipër , prokurorët dhe gjykatësit , përveç profesionalizmit në këto fusha duhet të jenë edhe të guximshëm duke pranuar riskun , si shok të pandashëm . Te ne kjo nuk ka qenë e theksuar sepse shkolla e tyre ( nga ndërkombëtarët e korruptuar ) ju ka krijuar një alibi apo faturë për mos – veprim.  Unë nuk njoh një rast që dikush nga prokurorët apo gjykatësit janë kërcënuar apo rrezikuar në Kosovë në atë masë sa që “ iu prishet ëndrra e një nate vere “ e lëre më familjet e tyre. Në rrafshin material pagat i kanë më të lartat në rajon sikur që edhe janë të mbuluar nga shoqërues për mbrojtje të afërt gjithmonë kur kanë kërkuar apo kur është vlerësuar se mund të jenë të rrezikuar. Natyrisht , është fakt se politika vendosë për fatin e tyre , si në planin afirmativ ashtu edhe për pasojat eventuale në karrierat e tyre . E që nuk do të duhej të ishte kështu dhe që këtë nuk do të duhej ta pranonte asnjë prokurorë apo gjykatës i ndërgjegjshëm , i përgjegjshëm , profesional dhe dinjitoz. Sot , falë mundësive të mëdha të rrjeteve sociale gjithkushi dhe askushi mund të kërcënojë kënd të dojë kurse prokurorët dhe gjykatësit , për shkak të natyrës së punës që e bëjnë janë shumë atraktivë. Por kjo nuk nënkupton që , pas kërcënimit të parë t’i lëshoni brekushet e pastaj të ankoheni që po ua fusin pavarësisht se konsideroheni i dorëzuar dhe në këtë situatë jeni të mbrojtur nga të gjitha konventat ndërkombëtare dhe ligjet kombëtare , si pengje apo që i keni lëshuar poshtë brekushte e bardha.

Prokurori Elez Blakaj nuk ka treguar as vullnet e as guxim për ta mbrojtur pjellën ( aktakuzën ) që vet e ka bërë por kjo nuk nënkupton se duhet të fyehet. Frika është njerëzore sidomos në një vend ku dhuna ka qenë meny e përditshme për të siguruar mbijetesën. Fizike dhe profesionale. Prokurori Blakaj ka vepruar si një prind i papërgjegjshëm i cili , fëmiun e porsalindur e mbështjellë me diçka dhe e lë në rrugë në mëshirë të ndonjë kalimtari të rastit apo edhe të ndonjë grabitçari të rastit. Nuk mjafton ta dorëzosh aktakuzën kundër dallaverxhinjve që i frynë tejmase listat e veteranëve dhe pastaj t’ia mbathësh në një largësi të sigurt siç bëri Elez Blakaj. Kush e mbronë aktakuzën e Elez Blakajt kur ai nuk e mbronë vet ?! Askush dhe asnjëri. Protestat e organizuara në “ mbrojtje “ të ish – prokurorit Blakaj ishin protesta kundër pushtetit aktual dhe për ta marrë pushtetin sikur që ishin shumica e të gjitha protestave . Me njerëz të njëjtë dhe kërkesa të njëjta . Protesta kundër politikës aktuale dhe në shërbim të një politike tjetër. Prandaj gjithmonë po dështojnë . Prokurori Blakaj , nëse është “ shërbëtor “ i drejtësisë dhe kundër krimit të organizuar duhet të kthehet në Kosovë dhe , pa asnjë dyshim do ta kishte përkrahjen  e thuaja të gjithëve të cilët do të bëheshin “ gardh i gjallë “ në mbrojtje të tij dhe punës së tij. Edhe unë , pa asnjë dyshim do të isha përkrahës i tij. Në të kundërtën , t’i sigurosh të pasmet në një rehati personale dhe të kërkosh përkrahje nga të tjerët , kjo nuk shkon . Nuk e hanë as qeni i Behlulit të Hashimit. Prandaj , mund edhe të gaboj por largimi i prokurorit Blakaj ishte ikje e orkestruar , e organizuar dhe mirë e menaxhuar . Pas së cilës ka mbetur një bisht apo kometë e dyshimeve dhe interpretimeve të ndryshme . Prandaj edhe vogëlsia ime mund të dyshojë se prapa kësaj ikje është një qëllim i caktuar. Nëse kjo ikje i shërben fillimit të një orteku të konsolidimit të drejtësisë duhet të përkrahet , nuk bënë ndryshe . Nëse kjo ikje është bërë për shkaqe karrieriste apo është bërë ikje nga përgjegjësia konkrete , nuk duhet të përkrahet. Siç thoshte idoli i një shtrese të patriotëve të ish – Jugosllavisë dhe Serbisë , Rrahman Morina , një dreq i madh është prapa kësaj ikjeje. Ikje të tilla pati edhe nga Shqipëria para se të fillojë procesi i pastrimit të gjyqësorit të shtetit shqiptar nga prokurorë dhe gjykatës të korruptuar . Ta shohim se si do të zhvillohen gjërat në Kosovë. Mendoj se , po të kishte Elez Blakaj shtetësi tjetër , sigurisht do të përfundonte si i punësuar në Gjykatën Speciale në Hagë. Ose , në rastin më të keq do të bëhej pjesë e stafit të Prokurorit Special të Gjykatës Speciale  . Duhet të presim pak derisa të shpërndahet mjegulla apo të largohet llumi nga lumi i rrëmbyeshëm. Atëherë do ta shohim se kush është rrenc apo hajn, kush e do vërtetë Kosovën , kush është në shërbim të drejtësisë apo kundër drejtësisë , kush është kundër UÇK-së dhe kush është për Ushtrinë e Serbisë , kush e ëndërron Policinë e Serbisë në Kosovë pasi thonë se Policia e Kosovës janë më të këqinj se policët e Serbisë dhe shumë kush të tjera.

Ismail Kadare ka qenë i përkëdheluri i Enver Hoxhës duke i gëzuar të gjitha privilegjet e kohës dhe të cilat nuk i kishin as 99.99% e shqiptarëve sikur as 98% e shkrimtarëve të Shqipërisë.  Madje kishte mundësi të punësonte kend të donte dhe për mua ishte zhgënjyes fakti kur një kolos i kulturës , letërsisë dhe disidencës kundër diktaturës në Shqipëri , gjeniu Lasgush Poradeci kërkonte ndihmën e pinjollit të Enver Hoxhës , Ismail Kadaresë për punësimin e vajzës së tij. Po ky Ismail Kadare , pasi e “ mbijetoi “ diktaturën , u ndje i kërcënuar nga demokracia e brishtë shqiptare , pikërisht sikur Elez Blakaj, prandaj iku për Francë ku , brenda një kohe rekorde u pajis me pasaportë franceze , lejeidentifikimi dhe patentshoferi. Shteti francez kishte interes nga Kadareja kurse Kadare , si “ disident “ i demokracisë shpresonte ta merrte Çmimin Nobel për letërsi të cilin nuk  e mori deri më sot. Llogaria për Çmimin Nobel për Letërsi ishte e projektuar mirë për faktin se thuaja të gjithë nobelistët për letërsi nga shtetet e lindjes apo shteteve diktatoriale këtë çmim e fituan , më shumë në saje të qëndrimit disident – kundërshtues ndaj diktaturës se kualitetit si shkrimtar. A do të përsëritet kjo histori edhe me ish – prokurorin Elez Blakaj ?! Ta shohim.

Urrejtja ndaj UÇK-së , trashëgimi gjenetike e dikur qenve e tash këlyshve jugosllavë dhe serbë : Nuk ka ushtri që ka bërë luftë më të lavdishme se që e ka bërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe nuk ka ushtri që ka bërë luftë më të pabarabrtë se që e ka bërë UÇK. Në atë kohë, vetëm nëse të ka shkuar mendja ta kundërshtosh Jugosllavinë qoftë edhe në mënyrë paqësore , të kanë llogaritur të çmendur kurse kundërshtimin e armatosur nuk e kanë llogaritur as si imagjinatë. Nëse jeni arrestuar apo dënuar për shkaqe politike të kanë etiketuar me cilësimet më të ulëta si pleh i Kosovës apo minj të vrimave. Familjen ta kanë veçuar duke bërë përpjekje ta shkatërrojnë moralisht dhe materialisht. Kush e kanë bërë këtë ?  E kanë bërë paraardhësit biologjikë të atyre që aq shumë e urrejnë sot UÇK-në dhe të cilën e identifikojnë me një grusht grabitçarësh dhe hajdutësh të shndërruar në kriminelë ordinerë . Për pjellën e trashëgimistë titiste , rankoviqiste dhe mendësinë jugosllave dhe serbe një ushtarë i UÇK-së është i mirë dhe patriot vetëm nëse qenka vrarë gjatë luftës. Të vrarët janë të mirë , të gjallët janë kriminelë apo siç e thonë shpesh , sidomos kohëve të fundit , janë më të zinj dhe më të këqinj se shkijet dhe se UÇK ka bërë më shumë të këqija popullit shqiptar në Kosovë se vet Serbia. I nënshtruari gjithmonë mbetet i nënshtruar , i robëruari mbetet rob i nënshtrimit dhe këtë veti e trashëgon përmes kodit gjenetik. Në kohë të vështira këta maskarenj dhe krushq të robërisë , palohen dhe , me rastin e parë rebelohen dhe trimërohen sidomos kur marrin infuzione nga padronët e tyre. Për këta komandanti legjendar Adem Jashari është i mirë vetëm se është i vrarë  sepse , po të ishte gjallë do të bëhej si të tjerët . Këta nuk kanë komb , nuk kanë fe , nuk kanë atdhe , nuk kanë kurriz dhe nuk kanë moral dhe fytyrë. Me luftën e lavdishme të UÇK-së shqiptarët për herë të parë luftuan për veten e tyre. Këta , të lavdishmit ushtarë të së lavdishmes UÇK-ë e çliruan Kosovën dhe jo NATO. NATO e ndihmoi luftën por lufta e lavdishme , qëndresa shekullore dhe viktimizimi biblik ishte vendimtar për çlirim. Amerikanët janë miq por nuk ishin ata që e çliruan Kosovën . E ndihmuan çlirimin e Kosovës . Pse nuk e çliruan Kosovën në vitin 1945 , 1968 , 1975 , 1981 , 1989 , 1997 ,1998 por ndihmuan vetëm pasi shpërtheu lufta. Ishte e ashtuquajtura rezistencë paqësore për 10 vite dhe nuk pati asnjë intervenim apo ndërhyrje . dhe , po të mos ishte lufta çlirimtare , ashtu siç ishte edhe sot Jovica Stanishiqi do të pinte shlivovicë me Fatonin në Mrezovicë. Edhe sot Nazemi do ta masakronte flamurin kombëtar për të hyrë në brekë të Millosheviqit. Edhe sot Jetoni do të shkonte ambasador i Serbisë dhe Jugosllavisë dikund në botë. Edhe sot Çkelzeni do të ishte spiun i Jugosllavisë dhe Serbisë. Edhe sot do të vazhdonte vëllazërim – bashkimi midis serbëve që flisnin serbisht dhe serbëve që flisnin shqip kurse burgjet do të mbusheshin me shqiptarë që mendonin , vepronin , flisnin , jetonin dhe vdisnin shqip. Edhe sot do ta kishin idol dhe hero Ali Shukrinë , Kolë Shirokën , Sinan Hasanin , Fadil Hoxhën , Rrahman Morinën , Mehmet Maliq – Qorrin , birin e Dragqit , Jovica Stanishiqin kurse do të mbanin në burg Adem Demaçin dhe patriotët e tjerë. Këta sot e shajnë UÇK-në sepse ju ka ardhë koha e mirëdita – dobardanit si dhe janë ngjallur fantazmat e Vidovdanit. Ata që luftuan dhe e patën përnjëmend për lirinë e Kosovës  nuk e bënë këtë për një vërtetim apo përfitim simbolik sepse investuan më shumë se çdo pasuri – jetën e tyre kurse këta që përfituan pameritueshëm ishin kundërshtarë të luftës , bashkëpunëtorë të Serbisë , pjesëtarë të ministrive dhe ushtrive fantome që , edhe në atë kohë zhvatnin parat e mërgimtarëve dhe kontributdhënësve të brendshëm. Është e vërtetë se edhe një pjesë e kriminalizuar e luftës u pasuarua shumë pas përfundimit të luftës por pse nuk flitet për hajdutët politikë të rezistencës paqësore para luftës . Hajni është hajn dhe nuk dallon nëse është i luftës apo i paqes sikur që nuk dallojnë as kriminelët . Nuk ka kriminelë të luftës dhe kriminelë paqësorë. Urrejtja aq e madhe ndaj luftës së lavdishme të UÇK-së nuk është se komandantët paskan vjedhur por se e kanë kulturë të trashëguar nga paraardhësit e tyre biologjikë. Këta janë paluar vetëm kur janë frikësuar , tash janë trimëruar dhe shndërruar në patriotë … të leshit. Luftëtari dhe trimi gjithmonë mbeten të tillë , qyqari dhe tradhëtari gjithashtu gjithmonë mbeten të tillë . Ky është realiteti sot në Kosovë . Heronjtë e Kosovës nuk kanë luftuar për ta mbrojtur pragun e shtëpisë por për t’u çliruar dhe për t’u bashkuar me Shqipërinë. Ai që e mbronë pragun e shtëpisë nuk ka nevojë të vesh uniformën ushtarake dhe të formojë formacione ushtarake . Nuk ka nevojë të pajiset me zola , gulinovë dhe armatim të rëndë . Nuk ka nevojë të hapë istikame dhe të shtrijë vija të gjata të frontit ku bëhet lufta. Është e vërtetë se luftën në Kosovë nuk e kanë bërë gjeneralët apo profesionistët ushtarakë sepse , përjashtuar një numri të vogël , shumica e tyre e kanë sabotuar luftën. Nuk janë rreshtuar në UÇK-ë. Një numër i oficerëve shqiptarë të ish Ushtrisë Popullore të Jugosllavisë e që kanë qenë atdhetarë kanë luftuar dhe kanë vdekur duke kaluar në përjetësi nën siglën e UÇK-së. Nuk iu ka penguar aspak UÇK. Ndërsa , ish bashkëpunëtorët e Jugosllavisë dhe të Serbisë e që kanë vdekur si të tillë , kanë dezertuar nga lufta duke iu dorëzuar armët ushtrisë , policisë dhe paramilitarëve të Serbisë sikur që ua kanë dorëzuar ushtarët e plagosur të UÇK-së. Të tillët sot janë veteranë të UÇK-së dhe për turpin e historisë , edhe heronjë të Kosovës. Kjo tregon më së mirë skemën e veteranëve të rrejshëm dhe heronjve të shpifur. Adem Jashari nuk ka pasur nevojë të jetë gjeneral. As Zahir Pajaziti , Edmond Hoxha , Rexhep Mala , Hakif Zejnullahu , Fahri dhe Bahri Fazliu , Xhevë Krasniqi dhe Fehmi Lladrovci dhe shumë heronjë të tjerë. Ata e kryen detyrimin ndaj kombit dhe atdheut sikur që mohuesit e UÇK-së e kryen dhe po e kryejnë detyrimin ndaj Jugosllavisë dhe Serbisë. Është çështje bindjeje dhe përcaktimi . Është hapur një debat idiotesk se kur qenka ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari. Nuk kam dëgjuar kohëve të fundit diçka më të shëmtuar se ky debat. Heronjtë e kombit që kanë rënë për atdhe janë të përjetshëm dhe nuk ka fare rëndësi kur kanë lindur sepse edhe kjo botë sikur edhe amshimi është i tyre , historia dhe nderi u takon atyre , kujtimi dhe ardhmëria ndërtohet mbi luftën dhe sakrificën e tyre . Ne jemi të vdekshëm dhe na mbulon pluhuri i harresës kurse heronjtë janë të pavdekshëm. Kështu veprohet në çdo vend normal të botës ! A është Kosova një vend normal ?! Nuk e di, nuk jam i sigurt se është .

Treshi përsheshi: Sot , njerëzit më të rrezikshëm dhe më të këqinj në Kosovë dhe për Kosovën janë Hashimi , Begjeti dhe Batoni. Nëse Hashimit nuk mund t’i mohohet e kaluara kombëtare dhe sakrifikuese , për dy të tjerët nuk mund ta gjeni as në gjurmë një të kaluar të tillë. Se çka i lidhë këta tre persona në këtë kohë , edhe budallenjtë e kanë të qartë , interesi dhe vetëm interesi. Më bënë përshtypje se më lehtë flet Hashimi për ndryshimin e kufinjve me Serbinë e të cilin e maskon me korrigjim të kufinjve se dikush që e pi një makiato të mëngjesit. Kush leshi është Batoni të thotë se duhet t’i ipet Serbisë veriu i Kosovës për të mos fituar asgjë apo për ta fituar Nobelin Hashimi dhe Vuçiqi apo për të shpëtuar prapanicat e rrezikuara. Me çfarë të drejte dhe ku e ka fituar të drejtën Gjet Colli të flasë në emër timin që , së paku kam bërë më shumë se 8 vite burg politik kur ai i ka flladitur topet në vendet e lindjes ku  perëndon dielli i lirisë. Këta tre të mjerë po shkojnë drejt fundit dhe duket se kanë vendosur mos të jetojnë në Kosovë sepse atdheu i tyre nuk është Kosova . Së paku nuk e llogarisin si të tillë kur aq pa mëshirë duan ta bëjnë rrush dhe kumbulla. Shpresoj se nuk do ta arrijnë ta bëjnë këtë sepse në skenë po del një ushtri e re me komandantët Lumir , Driton , Haxhi , Bajram , komandanten shoqen Vjosë dhe shoqen Mimozë , komisarin Ilir dhe shumë ushtarë dhe ushtare të tjera që fort janë mërdhezur ….duke e sulmuar UÇK-në , në fakt po e mbrojnë treshin famëkeq dhe fatkeq ! Qofsha i gabuar !

Të ngjashme