Një migrant i vdekur dhe 13 të lënduar në Maqedoninë e Veriut

Prishtinë | 24 Gus 2019 | 14:20 | Nga Ekonomia Online

Një migrant e ka humbur jetën ndërsa 13 janë lënduar në një aksident komunikacioni në autostradën Demir Kapi- Negotinë në jug të Maqedonisë së Veriut.

Katër nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë dhe janë dërguar në spitalin shtetëror në Shkup.

Aksidenti ka ndodhur kur automjeti me migrantë është përplasur një një mjet transportues që lëvizte në drejtim të njejtë dhe pas përplasjes është ndezur në flakë. Migrantët janë nga Pakistani dhe Bangladesh të moshës mes 22 dhe 25 vjeç.

Lëvizja e migrantëve ilegalë ka alarmuar drejtuesit e institucioneve të cilat kanë ndërmarrë masa në parandalimin e tyre. Të enjten policia maqedonase ka kapur 45 migrantë nga Afganistani dhe Siria në një furgon afër kufirit me Serbinë. Sipas policisë, ata dyshohet të kenë hyrë ilegalisht nga Greqia ndërsa si destinacion të fundit kanë pasur ndonjërin nga shtetet e Bashkimit Evropian.

Policia gjithashtu ka arrestuar drejtuesit e mjetit nën dyshimin e kontrabandës me njerëz. Vetëm në gjysmën e parë të këtij viti nga Greqia në Maqedoninë e Veriut kanë hyrë rreth 10 mijë migrantë ilegal.

Të ngjashme