Një muaj paraburgim për babë e bir nga Prizreni, rrahën një nxënës brenda orës mësimore

Prishtinë | 12 Mar 2021 | 11:59 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, gjyqtarja e procedurës – Shpresa Emra, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 09.03.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 08.04.2021, ndaj të pandehurve A.O., dhe M.O., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurve A.O., dhe M.O., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.

“Nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se: Me datë 9 mars, në orët e mëngjesit, në shkollën fillore të fshatit Caparc (Prizren), të pandehurit i shkaktojnë lëndime trupore të miturit – i dëmtuari nxënës i shkollës, për shkak se i mituri – i dëmtuari kishte pasur një mosmarrëveshje të mëhershme me vajzën e të pandehurit A.O., ashtu që të pandehurit A.O., dhe M.O., (babë e bir), shkojnë në shkollë dhe derisa ishte duke u mbajtur ora mësimore, e sulmojnë të dëmtuarin – viktimë e ndjeshme i moshës së mitur, ashtu që të pandehurit duke e goditur me shuplaka në pjesë të ndryshme të trupit i shkaktojnë lëndime trupor të dëmtuarit të konstatuara nga raporti mjekësor”, thuhet në njoftim.

Gjyqtarja e procedurës ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, sepse hetimet në këtë çështje sapo kanë filluar, në vazhdim do të merren në pyetje të pandehurit, i dëmtuari, dhe dëshmitarët e tjerë të cilët do të identifikohen.

Nga të lartë cekurat, Gjykata ka ardhur në përfundim se në rastin konkret masa e paraburgimit është adekuate, duke pasur parasysh faktet dhe rrethanat e lartpërmendura, ndikimin në dëmtuarin, dëshmitarë, peshën e veprave penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së këtyre veprave, e cila është kryer në ambientet e shkollës, raportet e acaruara në mes të palëve, e po ashtu edhe nga të cekurat më lart gjatë, caktimi i masës së paraburgimit ndaj dy të pandehurve tani për tani është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme