Një punëtor i autostradës humb jetën aksidentalisht

Kaçanik | 28 Tet 2017 | 12:55 | Nga

Në një aksident trafiku të ndodhur sot rreth orës 08:30 në fshatin Kovaqec të Kaçanikut, ka humbur jetën një person.

Rasti ka ndodhur në punishten e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit në afërsi të fshatit Kovaqec, ka bërë të ditur Agim Gashi nga Zyra për Informim e Policisë Rajonale në Ferizaj.

Sipas raporteve të para, ngasësi i automjetit transportues me targa lokale M. S. (24 vjeç), nga pakujdesia, me rrotat e pasme godet punëtorin T. Tafallari (41 vjeç) i cili pëson lëndime serioze.

Në vendin e ngjarjes pos patrullës policore ka dalë dhe mjeku kujdestar i cili ka konstatuar se viktima nga lëndimet e pësuara ka ndërruar jetë. Me urdhër të prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Hetuesit policorë janë duke zhvilluar hetimet lidhur me rastin, ndërsa i dyshuari, me urdhër të prokurorit, është ndaluar për 48 orë.

Ky është rasti i dytë i aksidenteve fatale që ndodh në këtë autostradë në pak javë.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, i ka shprehur ngushëllime familjes Tafallari dhe ka bërë të ditur se ka kërkuar takim urgjent me drejtorin e punishtes.

“Më lejoni të shpreh ngushëllime për një fatkeqësi që ka ndodhur në punishte në autostradën për Han të Elezit. Mendoj që ne duhet të jemi në këto momente afër familjes dhe unë si ministër kam vënë kontakte me familjen dhe kam kërkuar takim urgjent me drejtorin e punishtes”, tha Lekaj, për gazetarët, sot gjatë një përurimi rruge.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme