Një shoqëri është e drejtë, kur gratë fuqizohen

Prishtinë | 16 Qer 2025 | 14:21 | Nga Diellza Gashi

Organizata Joqeveritare Lady organizoi ceremoninë përmbyllëse dhe takimin rrjetëzues të
projektit “Rritja e ndërtimit të besimit në komunitet përmes zhvillimit dhe ndërveprimit të biznesit
të grave”, raporton Ekonomia Online.

Zëvendëskryeministrja në detyrë, Emilija Rexhepi, vlerësoi përkushtimin afatgjatë të OJQ Lady për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të grave në Kosovë dhe rajon, duke shprehur konsideratë për drejtuesen e saj, Sanije Murati.

Ajo theksoi rolin kyç të lidershipit të qëndrueshëm dhe të ndershëm në krijimin e lidhjeve të besimit dhe bashkëpunimit mes komuniteteve.

“Që të duam paqe, siguri dhe stabilitet për të gjithë ju për të gjithë ne që jetojmë jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, duhet krijuar kështu lidhje të ndërsjella, bashkëpunim, mirëkuptim dhe besim. OJQ-ja Lady ndër vite ka punuar për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të grave, përmes aktiviteteve të ndryshme. Jo vetëm këtu në Prishtinë, por në të gjithë Kosovën dhe tashmë edhe në rajon. Dhe ai përkushtim i saj i vazhdueshëm, të cilin ajo e paraqet me emocione të forta për të gjithë ne, flet për drejtësinë e saj, për dëshirën për të ndarë gjithçka të mirë që ka në shpirtin e saj me të gjithë ne.

Dhe për këtë arsye e respektoj atë punë të saj, atë energji dhe atë pozitivitet që ajo ka treguar ndër vite, si atëherë kur nuk kishte para, as atëherë kur kishte, edhe kur nuk kishte hapësirë, edhe sot kur tashmë është bërë një institucion i madh në rajon, ajo mbetet e njëjta. Ajo beson se vlerat njerëzore më së miri i pasqyron një qëndrim i tillë, siç është ajo vetë: e qëndrueshme dhe e ndershme. Këtë e them rrallë, shumë rrallë, por me të vërtetë, puna e saj ndër vite ka pasur një ndikim të madh dhe të gjitha gratë: shqiptare, boshnjake, serbe, turke, gorane, rome të gjitha gratë tona që jetojnë në Kosovë, e pranojnë atë si të tyren”, shtoi ajo.

Përfaqësuesja e Misionit të OKB-së në Kosovë, Caroline Ziadeh, tha se një shoqëri e drejtë është një shoqëri ku gratë fuqizohen.

“Mendoj që është më mirë të flasësh nga zemra. Dhe po, jemi fajtorë siç akuzohemi dhe do t’ju tregoj pse. Sepse ne besojmë që një shoqëri e drejtë është një shoqëri ku gratë fuqizohen, ku gratë lejohen të flasin, ku gratë dëgjohen dhe janë aktivisht të përfshira në shoqëri. Dhe kështu, shoqëria është paqësore dhe e qëndrueshme. Pra, po, jemi fajtorë, siç akuzohemi. Dhe gjithashtu jemi fajtorë, siç akuzohemi, sepse nuk mund të themi jo ndaj një nisme të mirë. Dhe ti gjithmonë sjell nisma të mira. Shikoj përreth kësaj salle, shoh fytyra dhe shumë koka që pohojnë me kokë. Kështu që duket që po bën një punë të mirë. Dhe pse? Sepse po na mundësoni që të përmbushim mandatin tonë. Ti u referove diçkaje shumë, shumë të madhe. Unë nuk po kontribuoj për një botë më të mirë: unë po i qëndroj besnike punës së shkëlqyer që po bën ekipi im, për t’iu përgjigjur nevojave tuaja, për t’u përshtatur me ju në partneritet, dhe për t’u siguruar që ky mjedis të jetë më i favorshëm për diversitetin, për fuqizimin e grave dhe për qëndrueshmërinë”, shtoi ajo.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, theksoi se zhvillimi i vërtetë i qytetit nuk është i mundur pa përfshirjen e grave.
Ai përmendi një sërë nismash që komuna ka ndërmarrë për të fuqizuar ekonomikisht gratë, përfshirë hapjen e tregut mobil, subvencione në bujqësi dhe artizanate si dhe mbështetje për qendrat komunitare.

“Në këtë qytet, në Prishtinën tonë dhe as në Kosovë, nuk ka zhvillim te vërtetë nëse gratë nuk janë pjesë integrale e tij. Këtë po e them jo si slogan, jo si klishe, por si bindje personale dhe institucionale. Kam thënë dhe po e përsëris: nuk ka ekonomi të fortë pa gra të forta. Ky projekt, që sot po e përmbyllim, është larg me shumë sesa një program pune. Ai është një histori suksesi që ka nisur me guximin tuaj dhe është përkrahur nga bashkëpunimi ynë. Diku 150 gra kanë pasur mundësinë të nxjerrin në dritë punën, mjeshtërinë dhe talentin e tyre, madje në zemër te Prishtinës. Dhe kjo është vetëm një pjesë e asaj që po e ndërtojmë bashkë.

Në këto katër vitet e fundit, kemi nisur programe konkrete që i fuqizojnë gratë në ekonominë lokale: kemi hapur tregun mobil, ku gratë sipërmarrëse kanë prioritet të veçantë për t’i shitur produktet. Kemi financuar projekte të shoqatave të grave nëpër lagje dhe fshatra të Prishtinës. Kemi ndarë subvencione për gratë në bujqësi e artizanate dhe kemi mbështetje qendrës komunitare, ku gratë trajnohen në fusha të ndryshme. Dhe të gjitha këto janë bërë me një qellim: që gratë të jenë të pavarura ekonomikisht dhe pjesë aktive e zhvillimit të Prishtinës. Po ndërtojmë një Prishtinë, ku gratë e zënë vendin e tyre natyrshëm, ku marrin vendime, ku udhëheqin, ku krijojnë ekonomi të re. Unë ju premtoj se nuk do te ndalemi këtu, madje nuk do të ndalemi ndonjëherë”, tha Rama.

Të ngjashme