Njohësit e drejtësisë thonë se përpjekjet për integrim të veriut po shkojnë dëm, po kthehemi në pikën zero

Prishtinë | 13 Nën 2022 | 08:45 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Largimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga sistemi i drejtësisë rrezikon që përpjekjet e deritanishme për integrim të veriut të shkojnë dëm, vlerësojnë avokatë dhe njohës të sistemit të drejtësisë, raporton Ekonomia Online.

Krahas kësaj situate, shumë seanca gjyqësore kanë dështuar, ndërsa qytetarët e asaj pjese po mbesin pa shërbime.

E gjithë kjo po bëhet për shkak të insistimit të institucioneve të Kosovës për të finalizuar planin për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS, ndërsa pala serbe po kërkon që ky vendim të shtyhet dhe të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Avokati Musa Damati, vlerëson se përkundër arritjes së marrëveshjeve ndërmjet palëve, situata e tillë është e papranueshme.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Damati ka kërkuar që marrëveshjet të implementohen për kundër situatës aktuale në atë pjesë të vendit. 

“Seancat e parapara të mbahen në Gjykatën Themelore të Mitrovicës të gjitha janë shtyrë me arsyetimin se një pjesë e konsiderueshme e stafit gjyqësor dhe prokurorial kanë dhënë dorëheqje. Në anën tjetër, është kruciale që të potencohet se dorëheqjet e tilla janë të paprecedentë dhe kanë krijuar një gjendje kaotike në sistemin gjyqësor të Kosovës”.

“Po ashtu pavarësisht mosmarrëveshjeve aktuale që mund të ekzistojnë ndërmjet palëve, mendoj se marrëveshjet e arritura në Bruksel për çështjet e drejtësisë, ato duhet patjetër të implementohen dhe një gjendje e tillë kaotike e krijuar në sistemin e gjyqësor të Kosovës duhet të jetë e papranueshme”, thotë Damati.

Teksa ka folur për situatën në veri, Damati thotë se për fajin e politikës po zhbëhen arritjet në atë pjesë. Ai ka përmendur edhe investimet që janë bërë në katër komunat veriore.

“Shërbimet tona të avokaturës ashtu si në gjithë Kosovën, ofrohen edhe për qytetarët në veri të vendit, mirëpo është e rëndësishme të theksohet se po ato kanë dështuar dhe janë shtyrë me të njëjtin arsyetim të cilën e potencova më lartë”.

“Çështja e integrimit të veriut të vendit, ka kërkuar një investim jashtëzakonisht të madh kapital, financiar e politik, dhe mendoj se politikat jo të menduara mirë dhe të pamatura, janë ato të cilat po e shtyjnë drejtë dështimit çështjen e veriut të vendit”, thotë tutje Damati.

Njëjtë mendon edhe hulumtuesi i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (IKD), Gzim Shala. Ai për Ekonomia Online ka thënë se integrimi i gjyqësorit në atë pjesë, është një arritje e madhe.

Shala thotë se këto përplasje e vonojnë edhe më tej marrëveshjen finale.

“Tërheqja e tyre nga Kuvendi dhe nga institucionet tjera, definitivisht i zhbën të gjitha të arriturat në procesin e dialogut për 10 vite dhe po ashtu e vështirëson jashtëzakonisht shumë edhe arritjen e një marrëveshje finale ndërmjet të dyja shteteve”, u shpreh Shala.

Shala thotë se institucionet e Kosovës pas shumë vitesh me marrëveshjen e Brukselit, kanë arritur ta shtrijnë pushtetin juridik edhe në këtë pjesë të vendit. Sipas tij, kjo situatë e kthen Kosovën në pikën zero, raporton EO.

“Përtej diskutimeve që i kemi pasur në kohë të caktuar, integrimi i gjyqësorit në veri të vendit, definitivisht është një arritje e madhe, për shkak se i kujtojmë ato kohë kur në veri nuk ka pasur fare gjykatë dhe qytetarët nuk kanë pasur shërbime, drejtësia ka qenë e paralizuar, dhe për këtë arsye konsiderohet si arritje e madhe integrimi i gjyqësorit në veri të vendit”.

“Në këtë situatë, nëse veprohet kështu dhe për politika të caktuara ditore të njëjtit tërhiqen nga gjyqësori, defitnitivisht se zhbëhet e gjithë kjo e arritur në kuptim të integrimit të gjyqësorit dhe që praktikisht kthehemi në pikën zero dhe zhbëhen të gjitha këto suksese që i kemi pasur deri më tani”, tha Shala për EO.

Të ngjashme