Një nxënës i klasës së 10-të, ka therur me thikë mësuesin e tij, pas një përplasje paraprake gjatë orës së mësimit. Ngjarja ka ndodhur paradite në afërsi të shkollës teknike në Pejë. Pas sulmit, nxënësi i mitur është arratisur nga vendi i ngjarjes.
B.B. mësues në shkollën e mesme teknike “Shaban Spahija” në Pejë është therë me thikë, të hënën, nga një nxënës i tij në klasën e dhjetë.
Deri te ngjarja, dyshet se ka ndodhur pasi paraprakisht B.B. e kishte larguar nxënësin E.H. nga ora e mësimit, pasi ky i fundit kishte penguar mbarëvajtjen e ligjëratës, raporton Gazeta Express.
Nxënësi E.H. fillimisht ka ofenduar në klasë mësuesin e tij, derisa ky i fundit e kishte shënuar në vërejtje dhe e kishte larguar nga ora mësimore të dyshuarin.
Më pas, rreth orës 11:15, nxënësi i klasës së 10-të, pas përfundimit të orës mësimore, me të hasur me mësuesin e tij, në afërsi të objektit të shkollës e ka sulmuar atë me thikë duke i shkaktuar lëndime në pjesën mbi gju.
I mituri është larguar nga vendi i ngjarjes dhe po kërkohet nga Policia, derisa viktima ka marrë trajtimin mjekësorë.
Rastin e ka konfirmuar për Express zyra për informim e Policisë rajonale të Pejës. Të njëjtit kanë konfirmuar se ende nuk e kanë kapur të miturin e dyshuar, ndonëse është identifikuar.