Olsjan Çela është prokurori i ri i përgjithshëm i Shqipërisë, ikën Arta Maku

Prishtinë | 05 Dhj 2019 | 16:21 | Nga Ekonomia Online

Olsjan Çela është prokurori i ri i përgjithshëm i Shqipërisë, me një mandat 7-vjeçar. Ai u zgjodh nga Kuvendi i Shqipërisë me votat pro të 101 deputetëve. Pas votimit, Olsjan Çela është betuar mbi Kushtetutë në sallën e seancës plenare.

Olsjan Çela ishte kandidati i parë i radhitur në listë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, ndërsa e dyta ishte Arta Marku, kryeprokurore e përkohshme. Marku mori 11 vota pro, 22 kundër 78 abstenim, ndërsa dy deputetë nuk morën pjesë në votim.

Ndërkohë kandidatja e tretë Fatjona Memçaj, mori vetëm 8 vota pro, 16 kundër ndërsa 78 deputetë abstenuan.

Fituesi duhet të marrë të paktën 84 vota (3/5) përndryshe emërohet automatikisht ai që është i renditur i pari në listën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Kështu, Olsjan Çela është zgjedhur me votat e mazhorancës dhe opozitës së re në Kuvendin e Shqipërisë.

Olsjan Çela e ka nisur karrierën e tij në vitin 2001 pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës, ndërsa në 2004 e aktualisht prej 15 vitesh është prokurori pranë Krimeve të Rënda, përcjell mapo.

Për katër vite nga 2008 në 2012 ai ka qenë drejtues i prokurorisë së Krimeve të Rënda e cila me hyrjen e SPAK, prokurorisë Kundër Krimit dhe Korrupsionin do të shkrihet.

Çela garoi me dy koleget e tij, pas shpalljes së kandidimit nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë ndërsa sfidën direkte e kish me eproren Arta Marku e cila nga sot do duhet t’i lirojë zyrën Çelës.

Çela për disa kohë u transferua edhe në Pogradec pasi u konsiderua si prokurori rebel që refuzoi të përfaqësoj pretencën e dosjes “Shullazi”.

Gjatë prezantimit në KLP të platformës së tij Çela tha se pavarësia e prokurorëve duhet të sjell përgjegjshmëri dhe jo abuzim.

Ndërsa rezulton se Çela nuk është i martuar dhe sipas formularit të tij gjatë procesit të vettingut jetonte me nënën e tij.

KLP gjatë fazës përzgjedhëse renditi Çelën si prokurorin më të kualifikuar për tu bërë kryeprokuror, ndërsa e dyta u rendit Arta Marku e më pas Fatjona Memcaj.

Ndërkohë po sot Marku me anë të shortit në presidencë u përzgjodh si anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi edhe për një mandat një vjeçar/Shqiptarja.

Të ngjashme