Një grua pretendon se është e detyruar të flejë me sytë hapur pasi ata u dëmtuan gjatë një operacioni estetik që nuk shkoi siç duhet.
Gruaja, e identifikuar si Wang Li, thotë se kanalet e lotëve iu dëmtuan gjatë një ndërhyrjeje të njohur si blefaroplastika aziatike (ose operacioni i “qepallës së dyfishtë”), një procedurë estetike që synon t’i bëjë sytë të duken më të mëdhenj dhe më të hapur, shkruan Mirror.
Sipas saj, dëmtimi i kanaleve të lotëve ka bërë që qepallat të mbushen vazhdimisht me lëng më shpejt sesa mund të kullohet, duke shkaktuar fryrje dhe deformim të tyre.
Në një postim në rrjetin social Weibo, Wang Li shkroi:
“Nuk mund t’i mbyll sytë dhe fle me sytë hapur. Kanalet e lotëve më janë dëmtuar dhe lotët më rrjedhin pa kontroll”.
Sipas mediave kineze, Wang Li iu nënshtrua operacionit në klinikën Meixi Cosmetic Surgery Clinic në qytetin Suzhou, në Kinën lindore, për të cilin pagoi afërsisht 1,500 euro.

Raportet tregojnë se kirurgu që kreu ndërhyrjen nuk kishte licencat e nevojshme për ushtrimin e profesionit, ndërsa vetë klinika nuk dispononte lejet e duhura për kryerjen e procedurës.
Pas dëmtimit, Wang Li vendosi ta padisë kirurgun. Gjykata konstatoi se ndërhyrja i kishte shkaktuar asaj një dëmtim serioz dhe të përhershëm.
Kirurgu, Meng Moufang, u dënua me gjashtë muaj paraburgim për ushtrim të paligjshëm të mjekësisë. Gjithashtu, ai u urdhërua t’i paguajë Wang Li-së 362,000 juanë si dëmshpërblim dhe t’i kthejë shumën që ajo kishte paguar për operacionin.