Dje plasi pistoleta në mes të Berlinit, por krismat u dëgjuan më pak se në Velipojë!

Prishtinë | 27 Qer 2021 | 23:15 | Nga Kreshnik Spahiu

Mbrëmë po darkoja në një nga restorantet japoneze më të njohura të Berlinit.
Restorant Sushi “Mido”, ndodhet në Adenauer Platz, në bulevardin kryesor të Berlinit Perëndimor “K’udam”.
Aq shumë i populluar është lokali dhe zona sa gjithmonë duhet të rezervosh me telefon pasi nuk mundet të gjesh tavolina të lira.
Papritmas teksa po shijoja kuzhinën japoneze, plasi pistoleta në lokalin ngjitur. Dy grupe arabësh filluan të përleshen. Pasi qëlluan ata u larguan në drejtime të ndryshme.
(Për ju që s’keni informacion: Mafia arabe është më e rrezikshmja në Gjermani dhe Evropë dhe më pas vijnë rusët, çeçenët, kurtët.. etj)
Qindra klientë u tronditën dhe filluan të largohen nga restorantet dhe baret, por para se të largoheshin shumica i telefoninin policisë për ndihmë. I gjithë populli në momentin që ndodhi krimi shndërrohet në “polic”.
Por ajo çfarë dua të veçoj nga kjo ngjarje janë disa elemente krahasuese me Shqipërinë:

  • Asnjë media gjermane nuk hapi lajmet me këtë ngjarje.
  • Asnjë portal i Berlinit nuk kishte lajm apo tituj për atentatin.
  • Asnjë parti politike nuk bëri koferencë për shtyp.
  • Asnjë politikan nuk deklaroi që Berlini është i rrezikshëm për turistët
    Dhe kjo nuk ishte asnjë ngjarje rastësore dhe asnjë krim i padëgjur.
    Përkundrazi, pardje një person me thikë vrau 3 kalimtar dhe plagosi 6 të tjerë në qendër të Wurzburg.
    E di që shumë nga ju që e lexoni këtë analizë do thoni: “Në Shqipëri fajin e ka shteti dhe jo populli”
    Pjesërisht jam dakord por unë po shtroj disa pyetje të tjera për ju:
  • Pse shqiptarët në emigracion në Amerikë, Itali, Angli, Holandë, Gjermani kryejnë po aq krime sa në Shqipëri: vrasje, përdhunime, vjedhje, trafikime?
  • Pse trafikantët shqiptarë tregtojnë më shumë drogë në BE sesa në Shqipëri, a nuk ka shtet në këto vende?
  • Pse shqiptarët në raport me numrin e popullsisë mbajnë vendin e parë në burgjet e Londrës, Mynihut, Amsterdamit, Hamburgut, Brukselit? Qeveria shqiptare e ka fajin ….?
  • Pse shqiptarët vrasin në Greqi, Zvicër, Beligjikë madje edhe në Island[, kush e ka fajin….qeveria atje?
  • Në cilin vend të botës vriten 6 veta për 6 çadra plazhi? A ndodh në plazhet e Marokut, Algjerisë, Tunizisë? A është problem mendor apo shtetëror?
  • Në cilin vend bregdetar si Saranda, taksistët presin gishtat e dorës me sëpata duke bërë sherr për një klient?
  • Në cilin vend të botës 50% e popullsisë i japin makinës si të çmendur sepse jetën e kanë aq bosh, sa e vetmja sfidë dhe garë e jetës është parakalimi me makinë apo bllokimi trafikut rrugor.
  • Në cilin vend të botës të vrasin pse parkove makinën keq?
  • Në cilin vend të botës vrasin për një karikues celulari që ka bllokuar prizën në lokal?
  • Në cilin vend të botës pronari i hotelit i dhunon klientët, pse nuk iu pëlqeu peshku që kishte gatuar?
    Që Shqipëria ka një shetet të dobët, është 100% e qartë por sigurisht populli ynë e meriton atë qeveri dhe atë opozitë, pasi jemi një shoqëri e kriminalizuar në themel dhe analiza duhet fillojë te shkatërrimi i familjes, shkollës, kulturës, edukimit, integrimit dhe moralit social.
    Jemi një komb që këto 30 vite: “Shembëm malet, dhe ngritëm halet”.
    Një, në tre shqiptar kur e takon në Evropë dhe e pyet se çfarë punon, të përgjigjet: “Me transport…..”
    Ky është fundi i një historie tragjike të kombit më të vjetër në Evropë por që me keqardhje shumë pak apo aspak ka mbetur nga geni i tyre ILIR.
    Do daja shumë me qenë krenar që jam shqiptar, por kudo që prezantoj origjinën time, në sytë e çdo të huaji nuk lexoj aspakt respekt për atdheun tonë.
    Në sytë e çdo të huaji nuk lexoj keqardhje se ne vijmë nga një vend i varfër apo shtet i paaftë, por thjesht se jemi një popull i dobët në çdo aspekt.
    Kjo është e vërteta e hidhur që s’duam ta pranojmë.
    Prandaj krismat e pistoletës në Berlin, nuk dëgjohen aq larg sa krismat e shqiptarve nga Velipoja në Sarandë. (Dritare.net)

Të ngjashme