Kush ia mbylli derën Shqipërisë për në BE

Prishtinë | 02 Nën 2019 | 10:37 | Nga Nezir H. Kraki

Parisi, Tirana apo rrethanat politike të Evropës e botës e pengojnë hyrjen e Shqipërisë në Evropë?Të tria bashkë mendoj, por zinxhirin bllokues rreth qafës së Shqipërisë e ka vendosur dhe mbyllur me dryn politika e çoroditur shqiptare.

Me fjalë tjera, dështimi i brendshëm politik i Shqipërisë dhe defaktorizimi i saj i jashtëm, i shkuan për shtat disponimit tepër negativ të politikës franceze dhe evropiane për sa u përket temave jashtëkomunitare si ajo e zgjerimit. Domethënë, veprimet dhe mosveprimet e qeverisë shqiptare këto vite veç e kanë plotësuar njëfarë dëshire antizgjerim, herë të pranuar publikisht,herë të thënë korridoreve këndej pari në Evropë. Kur Shqipëria mori statusin e vendit kandidat në vitin 2014, Brukseli i kërkoi Tiranës plotësimin e disa kushteve shtesë, ndër to më kryesori si gjithmonë ishte luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Gjërat filluan të ecnin në drejtimin e duhur dhe të gjithë e prisnin rilindjen e Shqipërisë e cila po faktorizohej në Ballkan si partner i besueshëm i Evropës dhe Amerikës. Ndërkohë, përfundimet e prekshme vononin dhe ambasadori amerikan në Tiranë bashkë me disa zyrtarë evropianë filluan të ngrinin alarmin rreth “kriminalizimit”të politikës shqiptare, duke folur edhe me emra të përveçëm në disa raste. Qeveria s’kishte veshë për të dëgjuar. Megjithatë, në vijë me kushtin e Brukselit për luftimine krimit, qeveria Rama, me polici e ushtri, rrafshonte parajsën Lazarat teksa në anën tjetër kapeshin avionë dhe vetura diplomatike të mbushura me drogë në porte e dogana evropiane.

Kur edhe vetura e ish-Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri u bë mjet i trafikimit të drogës në masë, dyshimet në Bruksel filuan të trasheshin. Shqiptarët e rilindur nga ana tyre e kuptuan që shteti tashmë i takonte tjetërkujt, as politikës jo. Opinioni dhe aleatët e kuptuan që mandate deputetësh e poste ministrash ishin fituar me forcën e parasë së pistë nga persona me historik kriminal dhe dënime gjithandej Evropës. Kur këto dyshime u vërtetuan me raste të prekshme të deputetëve dhe figurave politike të qeverisë, të cilët u detyruan të “zbrisnin nga skena”, atëherë populli u dorëzua dhe vuri re pafuqinë e tij përballë makinerisë gjigante korruptive dhe klienteliste që e kishte robëruar tashmë.

Dhe, një ditë prej ditësh, kushtet e Brukselit sikur u harruan dhe përparësi e qeverisë Rama (2) u bë manipulimi i brendshëm i publikut me fakte alternative dhe patriotizëm të trafikuar. U suprimua Ministria e Punëve të Jashtme që merrej me dosjet evropiane dhe ishte në rrjedha të situatave. U përqendrua pushteti në zyrën e Edi Ramës dhe qeveri u bë faqja e tij e fejsbukut. Edhe për përurimin e tri kilometrave rrugë në mes dy fshatrave të Elbasanit, veç Kryeministri e përcillte drejtpërdrejt me parullën e rilindjes së rrugëve, derisa në të njëjtën kohë mijëra kilometra i shtoheshin rrugës evropiane të Shqipërisë.

Kryeministri ishte bindur tashmë se kishte mision hyjnor në Shqipëri e Ballkan dhe se hallet “evropiane” të Shqipërisë mund të prisnin. Në këtë logjikë, ai i futi hundët edhe në çështjen më komplekse të kombit tonë, Kosovën, duke e forcuar pozitën e Serbisë dhe duke e eklipsuar Kosovën pa asnjë strategji kombëtare të qartë. Populli i Shqipërisë, shikues i një shfaqjeje të dalë boje, ishte dorëzuar dhe po kërkonte rrugë shprese.

Kështu, Shqipëria e rilindur u kthye në sinonim regresi dhe në zhgënjim të përgjithshëm, duke i shtyrë qindra mijëra shqiptarë të merrnin rrugët e botës. Në sytë e Evropës, Shqipëria nisi të shihej si vend politikisht anormal dhe demokratikisht i dyshimtë. Sot askush nuk merr rrugët e ikjes nga vendlindja pa pasur një hall të madh. Hallet e vitit 2019 janë të thjeshta: shërimi, edukimi, drejtësia, puna dhe siguria. Krejt çka i mungojnë Shqipërisë së rilindur.

Dhe kur Presidenti francez flet për numrin e shtuar të azilkërkuesve shqiptarë në Francë, ai i mendon arsyet që i kanë sjellë ata persona këtu, jo numrin e tyre. Numri i tyre i lartë veç i vërteton arsyet e tyre për ikje, sidomos kur analizohet ritmi i rritjes ndër vite.

Për të qenë sa më faktual dhe për ta sqaruar njëherë e mirë këtë punë, vijojnë më poshtëtë dhëna bazuar në raportet vjetore të Zyrës Franceze për Mbrojtjen e Refugjatëve dhe të Paatdhesuarve – OFPRA.Paraqiten të gjitha shifrat zyrtare të azilkërkuesve shqiptarë nga viti 2012 deri në vitin 2018. Sigurisht, këto shifra nuk mund të gjenden në edicionet propagandistike të kanalit privat dhe populist të Kryeministrit Rama (ERTV), as në konferencat recituese të një praktikanti të harruar në zyrat e MPJ-së.

Nezir H. Kraki
(Profesor, Universiteti“Paris-Est Créteil” (UPEC), Paris, Francë)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme