Ky sistem i stërvjetëruar arsimor duhet të ndryshohet

Prishtinë | 03 Dhj 2021 | 12:31 | Nga Drenusha Zajmi Hoxha

Nxënësi maltretohet nga 8 orë mësimi me diktime mësimesh, shënime në mungesë librash, teste, teste, teste…

Pastaj kthehet diku kah ora 16 i stërlodhur dhe nuk ka kohë as për një copë buke, pushim ose ndonjë aktivitet tjetër. Përsëri shumë orë mësimi, projekte, teste deri në shtrydhje totale të nervave dhe energjisë.

Sa mundet me pasë koncentrim një fëmijë pas 8 orëve të mësimit edhe për 4-5 orë të tjera kurs, mësim, lektyrë, test, hamam.

Dhe përsëri në fund, përqindje në detyra, në aktivitet, në test e çka dreqi s’di tjetër.

Ku mbeti ana pedagogjike, si vlerësohet nxënësi ne mënyrë robotike me pikë e me përqindje. Sa (de)motivuese është kjo? Po krijohen nxënës depresivë dhe plot stres, në vend të një gjenerate me dije dhe frymëzim.

A nuk është koha që shkollat, (e sidomos ato privatet) të fillojnë me mësim interaktiv, me video e me praktikë shkollore në secilën lëndë. Kur të përfundojë mësimi, meqë veç po qëndrojnë gjatë, le të përfundojë edhe procesi mësimor për atë ditë dhe nxënësit të kenë kohë edhe për aktivitete të lira, pushim, restart, gjumë…

Të futen lëndët si mendimi kreativ, mendimi kritik, edukata seksuale dhe nutricionizmi e informatika.
Boll me allahile me lektyra para kohës së Krishtit apo mësime parahistorike, të transmetuara katastrofalisht te nxënësi.

Kuptoni njëherë e mirë. Shkolla e fortë nuk është ajo që kërkon shumë prej nxënësit, por ajo qe i jep shumë!!! Ajo qe e motivon nxënësin për dije dhe jo ta trajtojë si blerës viti shkollor ose numër tranzit.

Sistemi arsimor duhet të ecë me kohën dhe plus, njëherë e mire t’ i hyje fshesë edhe mësimdhënësve që shohin gjate orës në telefon apo shpjegojnë si breshkë e lodhtë. Dhe t’i shtojë kushtet e shkollimit prej atyre bazikeve me tabela, projektorë, kompjuterë e dollape deri te mjeku i shkollës, psikologu, dentisti e sigurimi.

Krejt çka ka ndodh e kemi dëgjuar deri sot te ne në arsim është grevat për rroga, drekat për vota dhe Pisa në pus.

Faca e atij herifit të sindikatës, na është bere si makth nate!

Koha është për mësim interaktiv. Mos i trajtoni nxënësit si robotë, por si ata që do ta mësojnë në të ardhmen fëmijën tuaj ose do ta trajtojnë shëndetin tuaj, shtëpinë tuaj, problemet tuaja…e tutje.

Ndërsa ne këtë mënyrë po krijohet veç një kategori e frustruar njerëzish, që mendojnë t’ia shkelin prej këtuhit njëherë e mire.

Mos të harrojmë se fëmijët mbajnë mend!

E për ato që unë mbaj mend kur isha nxënëse, do të shkruaj një herë tjetër!

Të ngjashme