Opozita e Pejës cilëson të lartë koston e servisimit të automjeteve

Prishtinë | 07 Mar 2019 | 09:39 | Nga Ekonomia Online

Publikimi i kontratës së nënshkruar për servisimin e automjeteve zyrtare të Komunës së Pejës, ka shkaktuar reagim të dy subjekteve opozitare në Pejë, për shkak të shumës së përfshirë në kontratë për këtë tender. Në faqen zyrtare të komunës për prokurim, është publikuar kontrata e nënshkruar me operatorin e përzgjedhur për servisimin e automjeteve zyrtare të kësaj komune.

Kjo kontratë kornizë, që ka hyrë në fuqi muajin e kaluar dhe zgjatë deri të shkurt të vitit 2022, ka vlerën totale indikative prej 123 mijë e 842 eurosh. Kjo shumë e parashikuar për servisimin e automjeteve komunale, konsiderohet e lartë nga subjektet opozitare në Pejë. Madje, kryetar i subjektit Nisma në Pejë, Gezon Berisha, e konsideron plaçkitje te buxhetit shumën e planifikuar për riparim të automjeteve, shkruan sot Koha Ditore.

“Kjo është plaçkitje e buxhetit për t’i kënaqur apetitet e grupeve te interesit. Mund të blihen makina të reja për krejt atë vlerë që është ndarë për servisim të makinave. Nëse edhe kjo nuk është plaçkitje e buxhetit, unë nuk e di si është ndryshe. Kjo është tragjike gjithë atë shumë vetëm për servisim të automjeteve. Kjo është anomali dhe është edhe një keqmenaxhim i parasë publike, e asgjë tjetër”, thotë Berisha, i cili është edhe këshilltar i vetëm i këtij subjekti në Kuvendin Komunal të Pejës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme