Opozita e Podujevës pakënaqur me masat kundër kryezjarrfikësit shpërdorues

Prishtinë | 19 Pri 2019 | 10:55 | Nga Ekonomia Online

Zyrtarët e dy partive opozitare (LVV e PDK) janë shprehur të pakënaqur me masat ndëshkuese ndaj shefit të Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit (SHZSH) në Podujevë, Milaim Ajvazi, lidhur me keqpërdorimin e detyrës zyrtare, shkruan sot “Koha Ditore”.

Gazeta ka raportuar në muajin shkurt për dyshimet se ish-zjarrfikësi Baki Tahiri për tre vjet ishte mbajtur në punë dhe për çdo muaj ka dalë paga e tij në xhirollogarinë personale, edhe pse i njëjti kishte shkuar në Gjermani. Për këtë komisioni disiplinor e largoi nga puna Tahirin, ndërsa Ajvazin e ka suspenduar për 2 muaj dhe gjatë kësaj periudhe i është ndalë 1/3 e pagës.

Në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, drejtori për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi, e kishte sjellë një informatë lidhur me këtë çështje. Por atë ditë këshilltarët e VV-së dhe PDK-së e kishin lëshuar sallën në shenjë proteste për mospjesëmarrjen e kryetarit Veliu në seanca.

Në këtë informatë thuhet se Baki Tahiri kishte bërë kërkesë për lejim të pushimit pa pagesë për shkak të problemeve të theksuara shëndetësore për shërim jashtë vendit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme