ORCA: Ministria e Arsimit t’ua tërheq licencat kolegjeve që i mashtruan studentët

Prishtinë | 24 Mar 2022 | 15:21 | Nga Ekonomia Online

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim sot e publikoi “Raportin e monitorimit të Qendrës Kombëtare për Njohje të Diplomave(NARIC KOSOVA) 3” përmes të cilit u bë e ditur se gjatë vitit 2021, janë validuar gjithsej 3263 diploma të fituara brenda Kosovës me qëllim të përdorimit të tyre jashtë vendit për studime apo për të gjetur punë.

Nga universitetet publike janë validuar gjithsej 1774 diploma, ndërkaq nga kolegjet private janë validuar gjithsej 1489 diploma.

Përfaqësuesja e ORCA-s, Liridona Ademaj deklaroi se viteve të fundit, shpesh janë bërë publike raste të ndryshme të mashtrimit nga institucione të ndryshme të arsimit të lartë publik e veçmas privat, viktima të të cilëve kryesisht ishin studentët.

“Pas përfundimit të studimeve themelore në ndonjërën nga universitetet apo kolegjet në vendin tonë, studentë të ndryshëm kishin vendosur që t’i vazhdonin studimet e tyre Master jashtë vendit. Pas përpjekjes së tyre që të bëjnë validimin apo verifikimin e diplomës së nivelit që kishin përfunduar në Kosovë, rezultonte që ata nuk do të mund ta bënin një gjë të tillë. E për këtë, ka arsye nga më të ndryshmet.”, tha Ademaj.

Tutje ajo tregoi se meqenëse është i lartë numri i personave që nuk kanë arritur të validojnë diplomën e tyre në NARIC, në nëntor të vitit të kaluar Ministria e Arsimit kishte themeluar Komisionin për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga Institucionet e Arsimit të Lartë në Kosovë.

“Përmes këtij komisioni synohet të trajtohen rastet të cilat kanë pasur parregullsi në zbatimin e akteve nënligjore për mbajtjen e librave amëz, parregullsi siç është tejkalimi i kuotës së studentëve që mund të regjistrojnë në programe studimore, regjistrimi i studentëve në programe që nuk kanë pasur akreditim, bartja e studentëve nga një program në tjetrin, e shumë të tjera.”, shtoi përfaqësuesja e ORCAs.  

Sipas Ademajt, ky komision është duke bërë ndarjen e rasteve që kanë probleme në validim të diplomave, përmes inspektimit të kolegjeve dhe programeve të caktuara ku më pas do të vendoset për raste unike apo të ngjashme nëse do t’iu lejohet validimi i diplomës apo jo.

“Këto raste nuk duhet të kalojnë vetëm me pasojën e mosnjohjes së diplomave të studentëve si viktima të këtyre mashtrimeve, por që me automatizëm këto raste të bëhen lëndë për krimet ekonomike, për Departamentin për Arsim të Lartë në Ministri të Arsimit që t’iu tërhiqen licencat këtyre kolegjeve nga ministria.”, theksoi ajo.

Ndërkaq, udhëheqësja e Qendrës NARIC, Kumrije Gagica tha se njohja e diplomave do të bëhet vetëm nëse institucionet kanë pasur probleme teknike në vendosjen e emrave të studentëve në SMIAL.

”Ka qenë rasti i Universitetit të Prishtinës dhe disa universiteteve të tjera publike apo kolegjeve të cilat kanë raportuar në kohë që nuk po funksionon SMIAL-i dhe meqenëse nuk ka funksionuar atëherë i kanë dërguar përmes email-it. Kur kemi konsideruar që rekomandimi i Komisionit është ligjor kemi bërë validimin e diplomave. Komisioni e ka në mandat edhe marrjen e masave.”, tha Gagica.

Gjatë vitit 2021, Ademaj tha se janë marrë gjithsej 1095 vendime rreth njohjes së diplomave nga Qendra NARIC si dhe nga Këshilli Shtetëror për Njohje.

“Nga niveli i 5, janë njohur 17 diploma ndërsa nuk i kanë njohur 9 të tjera, nga niveli Baçelor janë njohur 332 diploma, nga niveli Master janë njohur 523 diploma dhe nga niveli i doktoratës janë njohur 214 diploma. Ndërkohë në proces janë 203 diploma të cilave ende nuk u është dhënë përgjigje nga Qendra për Njohje të Diplomave si pasojë e mungesës së përgjigjeve zyrtare nga institucionet ku palët i kanë përfunduar studimet, apo nga qendrat ENIC/NARIC të shteteve përkatëse.”, tha Liridona Ademaj.

Tutje  u rekomandua nga përfaqësuesja e ORCAs që për funksionimin sa më efikas të kësaj qendre, është i domosdoshëm plotësimi i numrit të stafit apo zyrtarëve të nevojshëm për shqyrtimin e të gjitha aplikimeve që dërgohen në këtë qendër.

“Nevojitet përmirësimi i infrastrukturës ligjore, përmes të cilës kjo qendër do ta ketë funksionimin më të lehtë pa pasur barriera ligjore të cilat e pengojnë në zhvillimin e veprimtarisë së saj. Krijimi dhe funksionalizimi i disa lloje të databazave që do të përmirësonin cilësinë e punës brenda qendrës dhe imazhin e saj para publikut vendor dhe atij ndërkombëtarë, përmes publikimit të informatave të nevojshme për palët e interesuara për shërbime të ndryshme të cilat i ofron Qendra Kombëtare për Njohje të Diplomave.”, përfundoi Ademaj.

Të ngjashme