Ndryshe nga albumet me këngë psikadelike, me tekste që lundrojnë nëpër hapësira transcendentale, surreale, tekstet e albumit rok progresiv “Animals” të Pink Floyd marrin natyrë tjetër – ato janë politike. Psikika e ngarkuar njerëzore nga sistemet totalitare, korrupsioni, padrejtësitë sociale, “derrat e kolltukëve që bëjnë e dirigjojnë luftërat, “delet që ndjekin verbërisht bariun e tyre” janë preokupimet artistike të djemve të Pink Floyd që pasi kishin lexuar me ëndje veprat monumentale distopike orwelliane “1984” dhe “Ferma kafshëve” – nisën ta thurin skemën e këtij albumi novator në krijimtarinë e tyre muzikore që u lëshua në treg më 21 janar të vitit 1977.
“Animals” është album distopik, produkt i zhgënjimit dhe pezmit nga ngjarjet socio-politike të kohës; Pink Floyd si njëri nga grupet më të mëdha i të gjitha kohëve, angazhohet artistikisht kundër çdo forme autoritarizmi dhe shkelje të drejtave njerëzore. Shumicën e këngëve i shkruan Roger Waters, lexues i pasionuar i Orwellit. “Ferma e kafshëve” është konsideruar si njëra ndër alegoritë më të mëdha politike që demaskon anën e errët të shoqërisë dhe strukturat antidemokratike. Kolektivizmi dhe organizimi i kafshëve në fermë, kundërvënia ndaj fermerit dhe marria e fermës në kontroll për t’ju nënshtruar më pas derrit Napolon që vendos diktaturë. Kjo është historia, me pak fjalë, e satirës-alegorisë së Orwellit. “Ishte bërë e zakonshme t’i përkushtohej Napolonit çdo arritje e suksesshme apo çdo e mirë që u sillte fati. Atmosfera e përgjithshme e fermës shprehej për bukuri në një këngë të titulluar “Shoku Napolon”:
Mik i jetimëve!
Burimi i gëzimeve
zot i kovave të ujit!
Oh, si ndizet shpirti im
flakë kur shikoj ata sy
të qetë e urdhërues.
Si ai diell që ndrin aty,
Shoku Napolon!”
(Ferma e kafshëve, Onufri, përkthyer nga Arben Kallamata)
Roger Waters shkruan këngët e “Animals” të Pink Floyd dhe vendos tituj si “Derrat, “Qentë”, “Delet”. Qasja realiste e Waters-it përbëhet nga imazhe konjitive, nga simbolet-kafshë me të cilat në mënyrë therëse aludohet për diktaturën/elitizmin politik, antidemokracinë, efektet shkatërruese e tjetërsimin/shpërfytyrimin e njeriut. Derrat, mend, janë sundimtarët dhe servilët, qentë simbolizojnë imperialistët, delet, ndjekësit e verbër të liderit. “Admirimi i derrave për mendjemprehtësinë e Napolonit nuk njihte kufi.” (fq. 83-84)
Por Waters tregohet optimist se “delet” do të “mbushen” mend e do ta mësojnë artin e karatesë për t’ju kundërvënë bariut të tyre.
“Bariu është Zoti im, ai më dërgon në ujëra të qeta
atje kullosat janë plot bar të njomë,
fuqia e tij është e madhe,
por kur neve vegjëlisë t’na vjen dita,
me përkushtim ta zotërojmë artin e karatesë,
në këmbë do të ngrihemi
të poshtrit do t’i bëjmë të lotojnë”. (BM)
Edhe Orwelli është optimist. Në pjesët e fundit të romanit, kafshët organizohen prapë për ta rimëkëmbur fermën dhe për të vendosur liri e barazi për të gjitha kafshët. “Ëndrrat e vjetra nuk ishin braktisur. Ende besohej se “Republika e Kafshëve”, e parashikuar nga Majori.” (fq.108) Se nga turbullirat politike përfitojnë më së shumti “derrat”, servilët, kemi fundin e romanit kur Orwelli shkruan: “Kafshët vazhduan të vështronin herë një derr e herë një njeri, pastaj përsëri një njeri e përsëri një derr, por ishte e pamundur të përcaktoje se çfarë ishte njëri dhe çfarë tjetri”.
Letërsia e përbotshme e Orwellit ngjizet mrekullisht me tingujt e rokut progresiv të Pink Floyd përmes pesë këngëve, me interpretimin fantastik të Waters-it & Gilmour-it, efektet zanore që e shtojnë dramaticitetin dhe krijojnë atmosferën distopike, fjala vjen kur dëgjohet ulërima e qenëve nga larg apo blegërima e njëtrajtshme e deleve. “Animals” është ndër kreaturat më të mëdha të skenës së rokut të shekullit XX, album që përmes muzikës kontribuon në ngritjen e vetëdijes me idenë që njerëzimi të reflektojë, kështu të krijojë një botë me liri, demokraci, e drejtësi sociale për të gjithë.