Osmani: E dhimbshme që edhe dy dekada pas luftës, po mbahen të heshtura tregimet e dhunës

Prishtinë | 09 Mar 2020 | 11:42 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka thënë se është e dhimbshme që edhe pas dy dekadave pas lufte, po mbahen ende të heshtura tregimet e dhunës. Këtë Osmani e tha në seancën që po mbahet me rastin e Ditës së Gruas, kushtuar ngritjes së vetëdijes së shoqërisë për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Ajo ka thënë se zëri i Vasfije Krasniqit, është zëri i mijëra viktimave që kërkojnë drejtësi.

Osmani ka shtuar se beteja e saj nuk ka qenë asnjëherë individuale, derisa ka bërë thirrje që të ngritin zërin kundër paragjykimeve.

“Ne e vlerësojmë lart faktin që këtë të premte është ngritur aktakuza e parë për dhunim gjatë luftës. Është e dhimbshme që dy dekada pas luftës tregimet e dhunës po mbahen të heshtura. Duke u solidarizuar me këto të mbijetuara ne i kujtojmë të gjitha viktimat e luftës së fundit dhe kërkojmë drejtësi për ta. Rrëfimi i sotshëm në institucionin më të lartë, dëshmon për rëndësinë e zërit të grave. Zëri i Vasfije Krasniqit është zëri i mijëra viktimave që kërkojnë drejtësi. Duke e ndarë historinë e saj, ajo do të na ndihmojë që të zgjojmë zërin e ndërgjegjes brenda nesh. Beteja e Vasfijës asnjëherë nuk ka qenë betejë individuale e saj. Ne duhet ta ngrisim zërin kundër paragjykimeve të tilla. Vasfija, Shyhretja e të mbijetuarat janë nderi jonë”, ka thënë ajo.

Fjala e plotë e kryeparlamentares Vjosa Osmani:

E nderuar heroinë, znj. Vasfije,

I nderuar kryeministër, ministra të kabinetit qeveritar,

Të nderuar deputetë,

Të dashur qytetarë,

Monumenti i pavarësisë “Newborn”, krahas krenarisë, çdo vit na e shpalos nga një faqe të brengës sonë të përbashkët. Sivjet ai na e shpërfaqi dhimbjen tonë më të madhe: zërin e heshtur të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës. Dhjetëra histori të trishta njerëzore, të kthyera në dhjetëra mesazhe, na e rikujtuan edhe një herë plagën tonë të madhe, dhunën e përjetuar gjatë luftës në Kosovë, por edhe gabimin tonë të pafalshëm karshi historisë sonë: heshtjen e zanit të të mbijetuarave të kësaj dhune për shkak të mosveprimit të drejtësisë, paragjykimeve, stigmave e mosbesimit.

Porse, të mos e rrëfesh krimin, të mos e vendosësh drejtësinë në vend, është sikur ta mohosh rishtas atë; ta heshtësh zërin e viktimave është njësoj sikur t’i përdhunosh së dyti ato; të mos e përkrahësh lirinë e tyre për ta dëshmuar krimin e për ta kërkuar drejtësinë është sikur ta mbytësh zërin e viktimës e ta bësh viktimë tërë shoqërinë.

E, grave të Kosovës, ndaj të cilave është ushtruar dhunë e egër nga aparati shtetëror gjenocidial serb, u është pamundësuar e drejta për të dëshmuar për krimin, sa nga stigamtizimi e sa nga mungesa e drejtësisë efektive. Ne vlerësojmë lart faktin që këtë të premte është ngritur aktakuza e parë për dhunë gjatë luftës në Kosovë dhe është trajtuar si krim lufte.

Prandaj, nuk është e rastësishme që, 20 vjet pas luftës, nga monumenti i pavarësisë jehoi kumbueshëm një zë-thirrje, në një mesazh i cili u shndërrua në moto të betejës për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale. Mesazhi thoshte: “Plaga ime le të ketë zâ”.

Ky mesazh e ky zë është zëri i ndërgjegjes sonë të munguar; është zëri i Vasfijes, i Shyhretes dhe i mijëra viktimave të tjera, të cilat duan të kenë zâ, duan që plaga e tyre shpirtërore të shërohet duke ua njohur plagën e luftës dhe duke u siguruar drejtësi. 

Të dashur deputetë!

Të nderuar qytetarë!

          Është e dhimbshme që dy dekada pas luftës, tregimet e torturës dhe abuzimit seksual po mbahen të heshtura dhe jashtë metanarracionit të luftës dhe diskursit publik. Dhuna seksuale është ndër më çnjerëzoret, ngase, në njërën anë e shpërfaq egërsinë e vrasësit dhe, në anën tjetër, i kërkon viktimës ta heshtë krimin. Por, heshtja e krimit nuk e zhbën atë. Përkundrazi, e bën dyfish më të rëndë. Të mos rrëfesh për krimin sepse mund të paragjykohesh, është sikur ta mohosh atë; të mos ua njohësh statusin e vërtetë viktimave të dhunës është sikur të mos e pranosh viktimën e fatin e tmerrshëm të saj. Të mos e kërkosh me ngulm drejtësinë për këto viktima është sikur ta mohosh fatin e tyre.

Prandaj, ne kemi vendosur që seancën me të cilin do ta shënonim Ditën Ndërkombëtare të Gruas këtë vit t’ia kushtojmë zanit të mbytur të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, në mënyrë që atë zë ta shumëfishojmë, që të ndikojmë sadopak në ngritjen e vetëdijes për zërin e heshtur dhe për drejtësinë e munguar për viktimat e kësaj dhune. Duke u solidarizuar me këto të mbijetuara, ne sot i kujtojmë të gjitha viktimat dhe kërkojmë drejtësi për to. Duke folur me zërin tone, së pari dhe ndërgjegjen e botës demokratike, së dyti, ne duam të prekim në ndërgjegjen tone, që t’u bëjmë thirrje të gjitha të mbijetuarave, viktimave të dhunës seksuale, por edhe familjarëve të tyre, që ta ngrenë zërin e tyre, derisa statusi i të gjitha viktimave të njihet dhe për to të vendoset drejtësia. Prandaj, dua t’ju bëj thirrje të gjitha të mbijetuarave që historinë e tyre t’ia besojnë Komisionit Shtetëror për Njohjen e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale. Procesi është i besueshëm dhe e ruan konfidencialitetin e plotë të viktimave.

Të nderuar deputetë!

Ne e dimë se nuk është e lehtë të përballesh me paragjykimet, stigmatizimin dhe diskriminimin në përpjekjen e përdishtme për të gjetur paqe dhe për të marrë drejtësi. Por, rrëfimi i krimit është më i fuqishëm se stigma, harresa dhe heshtja, sepse dhimbja e viktimave është dhimbja e shoqërisë, është dhembja e Kosovës! Plaga e heshtur e grave të dhunuara, duhet të ndahet me Ne, që secili ta ndjejë e të luftojë për t’i përkrahur të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Prandaj, duke e dëgjuar rrëfimin e tyre, nëpërmjet rrëfimit të Vasfijes, të cilën e kemi këtu, ne duam që sot t’i flasim vetes sonë, me zërin tonë, i cili ndoshta nuk do të dëgjohet përtej nesh, por i cili do ta ketë fuqinë të shpërthejë në klithmë për padrejtësinë që u bëhet këtyre viktimave: mosnjohjen e statusit të viktimës dhe mosvënien në vend të drejtësisë.

Ne këmbëngulim në këtë sepse ne e dimë se dhimbja dhe humbja janë të mëdha, por nëse e shpërfaqëm të keqen, ne e kemi njohur realitetin dhe kemi bërë një hap në kërkim të drejtësisë. Rrëfimi si i ky i sotshmi në institucionin më të lartë në vend, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dëshmon për rëndësinë e zërave të grave në ndërtimin e narrativave dhe të kujtesës së luftës.

Zëri i Vasfijes, e cila guximshëm e nisi një mision të shenjtë, ngritjen e zërit kundër dhunës dhe kundër stigmës, duke iu adresuar fillimisht Kongresit Amerikan, pastaj Parlamentit të Suedisë dhe Senatit Italian, është zëri i këtyre mijëra viktimave që kërkojnë drejtësi. Duke e ndarë historinë e saj me ne, ajo jo vetëm do ta kujtojë fatin e viktimave, por do të na ndihmojmë që ta zgjojmë zërin e ndërgjegjes brenda nesh dhe të thërrasim fort për drejtësi.

8 marsi filloi si lëvizje për të drejtat e grave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në djepin e demokracisë botërore dhe për koincidencë edhe dhembja jonë shoqërore filloi të ngrisë zërin senzibilizues kundër këtyre veprimeve barbare, duke i dhënë shansin Vasfijes sonë të fillojë një mision të shenjtë, ngritjen e zërit kundër dhunës dhe kundër stigmës, pikërisht duke u adresuar nga Kongresi Amerikan. Beteja e Vasjfijes nuk është betejë individuale e saj. Ajo është betejë e saj për ta dëshmuar dhimbjen e një populli, atij të Kosovës.

Të dashur qytetarë!

Misioni ynë si kuvend do të jetë i paplotë nëse nuk angazhohemi që ta luftojmë stigmën në shoqëri. Si të zgjedhur të popullit ne duhet ta ngrisim zërin kundër stigmave të tilla. Tek e fundit, barra e turpit moral do të bie mbi regjimin gjenocidal serb dhe asnjëherë mbi viktimat e pafajshme të dhunës seksuale.

Atyre që menduan se me krimin e tyre makabër do ta çnderonin një popull, duhet t’ua themi me zë të lartë, sot e përherë: Vasfija, Shyhretja dhe të mbijetuarat e tjera të kësaj dhune janë nderi ynë. 

Prandaj, në emër të betejës për za, më lejoni që ta ftoj zanin e viktimave, znj. Vasfije.​

Të ngjashme