Pamje nga autostrada “Struma” në Bullgari tri ditë pas aksidenti tragjik

Prishtinë | 25 Nën 2021 | 16:00 | Nga Ekonomia Online

Dy vetura të policisë qëndrojnë afër vendit ku përfundoi e u djeg autobusi me mbi 50 udhëtarë në Bullgari orët e para të së martës, duke i lënë të vdekur 44 persona.

Në zonën e aksidentit, rruga shihet që është ende e nxirë në pamjet që i ka publikuar televizioni Alsat.

Në zonën e tragjedisë, njëra korsi në autostradën e Strumës është ende e mbyllur. Qarkullimi vazhdon tjetërkah.

Rregullimi i supërfaqes së rrugës është shtyrë, pasi po vazhdon inspektimi i grupit të përbashkët punues, i caktuar me urdhër të ushtrueses së detyrës së ministres rajonale, Violeta Komitova, raporton BNT.

Ata kanë edhe dy ditë kohë për ta përgatitur një raport gjithëpërfshirës për gjendjen e infrastrukturës rrugore në zonën e aksidentit të rëndë. Kontrollohet mbulesa e asfaltit dhe shtresa e saj, si dhe nëse pjerrësitë, kthesat dhe zhvendosjet janë sipas standardeve.

Sipas informacioneve zyrtare, të cilat u dhanë sot nga ata që po e kryesojnë hetimin për tragjedinë në Bullgari, 44 persona, shumica shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, kanë gjetur vdekjen në rrethana tragjike në orët e para të mëngjesit të së martës, pasi një autobus është përfshirë nga flakët në një autostradë në perëndim të Bullgarisë.

Në mesin e viktimave të aksidentit kishte edhe fëmijë.

Shtatë të mbijetuar po trajtohen ndërkohë në spitalin e kryeqytetit bullgar, Sofje, si pasojë e djegieve. Disa nga ta janë operuar, dhe sipas mjekëve, asnjëri nga ta nuk e ka jetën në rrezik.

Në autobus besohet se kanë qenë mbi 50 persona.

Të ngjashme