Me moton “Libri hap botën”, në Prishtinë është hapur Panairi i Librit “Prishtina 2026”, raporton Ekonomia Online.
Ky organizim mblodhi autorët dhe shtëpitë botuese të vendit e rajonit në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.
Autori, Blerim Gjoci, tha se ky panair është sikur “qershia mbi tortë” dhe shërben për njoftimin me tituj dhe autorë të rinj.
“Panairi i Librit është domethënë sikur ajo qershia mbi tortë, për të gjithë ata që kanë pakëz etje për intelekt. Se di çka më shumë, domethënë se është mundësia kryesore që njerëzit me u njoftu me tituj të rinj, me libra të rinj, me autorë të rinj, me botëkuptime të reja. Kështu që, unë mendoj që, unë për vete kur futem në panair të librit mundohem, mundohem me çdo kusht mos me marrë shumë para me vete, se i harxhoj të gjitha, sepse dëshira me lexu, për ata që lexojnë pakëz, është e pazëvendësueshme”, tha ai.
Sa i përket interesimit për lexim nga të rinjtë, Gjoci theksoi se ka rënë, për arsye të medieve sociale.
“Unë mendoj që prej këtij kakofonisë të social media, TikTok-ave, gjërave të tjera, absolutisht që ka rënë interesimi, se shumicën e informatave njerëzit po i marrin prej tyre, edhe pse pa konfirmuar, po sido që të jetë, libri edhe ta pasuron trurin, ta pasuron intelektin, të bën më të hapur ndaj të gjitha gjërave, sepse ndryshe është kur përshkruhet një send, ashtu në sublim, e ndryshe kur konsumohet shpejt e shpejt. Kur e lexon një libër, ti atë send s’e harron. Ndërsa TikTok-at e këto në social media, i lexon, i harron sepse ke aq shumë, po them konkurrencë, kakofoni. Ndërsa libri është vetëm ti dhe libri. Kështu që, është një, të them një relacion intim që nuk duhet harruar”, u shpreh ai.
Kimete Arifaj, autore dhe pronare e librarisë “World Book”, tha se organizimet e tilla janë të domosdoshme për promovimin e kulturës së leximit.
“Evenimente të tilla, aktivitete të librit, janë shumë të domosdoshme dhe shumë të rëndësishme për promovimin e kulturës së leximit, sidomos në Kosovë, Shoqata e Botuesve të Kosovës organizon çdo vit, tashmë është bërë traditë organizimi i këtij panairi në Prishtinë, duke u dhënë hapësirë të gjithë botuesve, jo vetëm në Kosovë, por edhe në trojet shqipfolëse, të marrin pjesë dhe të promovojnë kulturën e leximit shqip. Mendoj që është shumë e nevojshme për kulturën dhe nxitjen e mendimit edhe nxitjen e rritjes së lexuesve, sidomos lexuesve të rinj edhe është njëra ndër evenimentet më të mëdha në Kosovë”, tha ajo.
E, drejtori i shtëpisë botuese “Drita”, Don Fatmir Koliqi, po ashtu tha që ky event është i rëndësishëm për ata që kanë interesim për librin.
“Panairi i librit është një festë për librin dhe një shtysë e madhe që gjithë qytetarët, lexuesit, ata që janë të interesuar për librin të mund të shohin çfarë mund të gjejnë dhe çfarë mund të lexojnë në të gjitha fushat e shkencës, letërsisë, të shkencave humane, të shkencave fetare, e të gjitha, domethënë është një festë, të cilën bashkërisht i plasojmë librat, botimet e tona dhe u ofrojmë lexuesve atë që ne mendojmë që është e bukur dhe e vlefshme për rritjen e tyre edhe intelektuale, kulturore e të gjitha ato”, u shpreh ai.
Koliqi gjithashtu theksoi që për arsye të teknologjisë ka ndryshuar edhe mënyra e leximit, duke kaluar në formë digjitale.
“Sigurisht që është një ndryshim i madh i lexuesve të rinj, sepse një botë në të cilën ne jetojmë, me shumë teknologji dhe mënyra e leximit që ti japin në mënyrë online, ndoshta libri pak është më ndryshe, por megjithatë shohim të rinj që dëshirojnë të lexojnë edhe libra edhe unë besoj dhe shpresoj që rinia nuk do ta humbin kurrë këtë takim të drejtpërdrejtë me librin e botuar, sepse është edhe kjo një kulturë nuk është vetëm leximi, por edhe marrja në dorë, kontakti me librin është një mënyrë e kulturës sonë”, tha ai.
Ky është edicioni i 26-të i Panairit të Librit, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, me ndihmën dhe bashkëpunimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunës së Prishtinës dhe Pallatit të Rinisë, i cili do të jetë i hapur deri më 21 qershor, ku pritet të marrin pjesë rreth 100 shtëpi botuese, të prezantohen afro 2.000 tituj të rinj dhe rreth 6.000 botime të viteve të fundit, e poashtu do të zhvillohen mbi 40 aktivitete kulturore, promovime librash, debate dhe takime me autorë vendorë e ndërkombëtarë.



